Zgjedhjet 2016, sfidë për mentalitetin fragmentarizues të shqiptarëve

16:19 | 19 Shtator 2015
Gita

Një nga dobësitë e mëdha të organizimit politik të shqiptarëve në të kaluarën, ka qenë pamundësia për të mbajtur gjallë një organizim të mirëfilltë për periudha më të gjata kohore. Gjithmonë na ka hy sherri ose prej brenda, ose duke qenë instrument i jashtëm i dikujt, dhe jemi fragmentarizu.

Njohësit e mirëfilltë të rrethanave politike në Maqedoni, thonë se madhështinë që e arriti PPD-ja në fillim të pluralizmit, duke u ngritur në një lëvizje gjithëkombëtare, u bë ther në sy e shërbimeve sekrete antishqiptare, të cilat nuk u ndalën deri sa përçanë dhe e larguan nga skena politike.

Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila doli nga strukturat e ish-UÇK-së pas luftës së vitit 2001, gjatë gjithë këtyre viteve, e sfidoi atë mentalitet fragmentarizues të shqiptarëve, por edhe ndikimin e fuqishëm të shërbimeve antishqiptare.

BDI, ndoshta mbetet subjekt unikat, dhe me këtë forcë të madhe organizative dhe politike, duke dalë fituese në të gjitha ciklet zgjedhore.

Bashkëbiseduesit tanë nga fusha e politikologjisë, theksojnë se zgjedhjet e ardhshme janë një sfidë e madhe nëse shqiptarët do të mund ta ruajnë këtë forcë të madhe politike, apo do t’i japin shans fragmentarizimit dhe uljes në minimum të forcës negociuese shqiptare gjatë përbërjes së qeverisë së ardhshme.

Në kartën e fundit janë duke luajtur edhe disa nga partitë e vogla shqiptare, të cilat kanë filluar të funksionojnë në konceptin përçarës “një qytet- një parti”, që paraqet koncept thellësisht antishqiptar. Të gjitha këto “parti apo koalicione lokale”, pretendojnë të marrin vota të caktuara nëpër “bastionet” e tyre të paramenduara.

Rezultatet zgjedhore për ta do të jenë zhgënjyese, ndërsa “me shëndet” do të bartin etiketën si parti antikombëtare, për shkak se do të humbin mijëra vota dhe do ta dobësojnë pozitën e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë.

Prandaj, këto zgjedhje janë një test i madh për ardhmërinë e popullit shqiptar, dhe do të tregojnë nëse do të jemi të aftë apo jo që ta mbajmë gjallë një organizim të mirëfilltë politik kombëtar.

Shpërndaje në rrjete sociale