Google ADS

Vuçiq: Eksportojmë të gjitha armët që mundemi

14:54 | 9 Mars 2024
E.K

Serbia eksporton të gjitha armët që mund të prodhojë për shitje, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai se interesimi është aq i madh sa Serbia mund të shesë gjithçka që prodhon për 30 vjet vetëm përmes një kontrate.

“Gara e armëve nisi kur bota e kuptoi se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të mposhtej lehtë. Prandaj, të gjithë po armatosin veten pesë herë më shpejt”, tha Vuçiq gjatë një vizite në Institutin Tekniko-ushtark në Beograd.

Duke folur për prodhimin e brendshëm, Vuçiq tha gjatë ekspozimit të pajisjeve ushtarake se në të ardhmen synohet të prodhohen 5.000 dronë kamikazë që janë zhvilluar nga ekspertët e këtij instituti. Udhëheqësi serb tha se plani është që deri në shtator të vihet në përdorim mjeti fletues pa pilot “Sparrow”.

“Ka rënë bashkëpunimi me Rusinë”

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq, tha më 9 mars se Serbia ka pasur bashkëpunim substancial ushtarak me anëtarët e NATO-s në dy vjetët e fundit.

“Duke pasur parasysh rrethanat e reja të krijuara, bashkëpunimi i Serbisë me Rusinë nuk është zhvilluar dukshëm që nga nisja e luftës në Ukrainë”, tha Staroviq për Zërin e Amerikës.

Para se të niste lufta në Ukrainë, Forcat e Armatosura të Serbisë kanë kryer stërvitje ushtarake brenda dhe jashtë vendit me ushtritë e ish-bllokut Lindor, Rusinë dhe Bjellorusinë, por edhe shtetet perëndimore, sikurse Shtetet e Bashkuara dhe anëtarë të tjerë të NATO-s.

Serbia është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s që nga viti 2006. Ky program konsiderohet hapi i parë drejt anëtarësimit në aleancë. Më 2007, Serbia deklaroi se ishte shtet neutral në aspektin ushtarak./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme