Vuçiç kërkon nga Sorenseni angazhim më aktiv të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

13:59 | 25 Shkurt 2026
Q L

Presidenti serb Vuçiç nuk është i qetë nga aleanca ushtarake trepalëshe mes Tiranës-Prishtinës dhe Zagrebit.

Ai e ka përsëritur shqetësimin e tij edhe njeherë gjatë takimit me të dërguarin e Bashkimit Europian për Dialog Peter Sorensën në Beograd.

Vuçiç ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në aleancën ushtarake rajonale duke vlerësuar se sipas tij një hap i tillë do të rriste tensionet dhe do të kërcënonte sigurinë.

Vuçiç nuk I ka ndalur akuzat ndaj Prishtinës, duke deklaruar se ajo ka për qëllim të rrisë tensionet në rajon.

Në një postim në rrjetet e tij sociale, presidenti serb theksoi se ka ngritur shqetësimin për, siç u shpreh, pozitën e serbëve në Kosovë dhe ka paralajmëruar për atë që e quajti synim të Prishtinës për të zbatuar nga 15 marsi “vendime të reja përshkallëzuese dhe thellësisht diskriminuese”, të cilat sipas tij rrezikojnë mbijetesën e popullit serb, duke aluduar te hyrja në fuqi e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete.

Nëse hyn në fuqi nga 15 marsi, siç është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, Ligji për të Huajt parasheh që shtetasit e huaj që qëndrojnë më gjatë në Kosovë janë të obliguar të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orësh që nga hyrja, ndërsa ai për Automjete thotë se personat që mbajnë vetura me targa të huaja në Kosovë do të gjobiten nëse e tejkalojnë kufirin ligjor tremujor të qëndrimit në vend.

Vuçiqi u ka kërkuar ndërkombëtarëve që t’i marrin seriozisht këto çështje dhe të bëjnë gjithçka për të siguruar respektimin e të drejtave të serbëve, ndërsa nuk ka hequr dorë as nga kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se serbët në Kosovë kanë 13 vjet që presin zbatimin e saj.

Vizita e Sorensen në Serbi vjen pas ndalesës së tij në Prishtinë dy ditë më parë.

Shpërndaje në rrjete sociale