Google ADS

Taravari: Simptomat e para nga ndotja e ajrit, shfaqen më vonë

13:06 | 18 Janar 2016
Arbresh.info

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, në veçanti ata të Tetovës, Shkupit dhe Manastirit, ka një kohë të gjatë që thithin ajër të ndotur, i cili në raste të veçanta për disa herë kalon nivelin e lejuar, gjë të cilën e dëshmojnë edhe stacionet matëse të ajrit. Mirëpo ajo që nuk është trajtuar aq sa duhet është shfaqja e simptomave të para nga thithja e ajrit të ndotur.

Lidhur me këtë dukuri shqetësuese mjeku dr. Arben Taravari nga Klinika Universitare në Shkup thotë se parametrat e ajrit, të cilat përmbajnë grimca të quajtura ‘PM 10’, të cilën Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar si kancerogjene, në Tetovë dhe në Shkup tejkalon për disa herë nivelin e lejuar.

Sipas tij, në vitin 2010 ka patur rreth 1300 persona të sëmurë nga kancere të ndryshme, kurse në vitin 2013 kjo shifër gati se është dyfishuar, ndërsa siç thotë ai, nuk ka shifra zyrtare për vitet 2014 dhe 2015.

Taravari sqaron se ndotja e ajrit nuk shkakton probleme vetëm tek sistemi respirator, ashtu siç mendohet fillimisht.

“Më së shumti ndikon në organet e frymëmarrjes, kurse organet e frymëmarrjes e kanë për obligim që oksigjenin që e marrin nga ajri, ta dërgojnë nëpër organe të tjera kështu që kryejnë probleme edhe në veshkë, në sy dhe në tru. Në shumë sisteme organike ndikojnë negativisht”, deklaroi për AA mjeku Taravari, sipas të cilit në një afat të shkurtër nuk mund të ndjehet asgjë, por disa njerëz të cilat janë më të ndjeshëm, mund ta ndjejnë në forma të ndryshme.

“Në afat të shkurtër nuk mund të ndjehet asgjë, por disa njerëz të cilat janë shumë të ndishëm mund ta ndjejnë në mënyrë të teshjes dhe kollitjes, e disa me ndryshime të ngjyrës së lëkurës, me ndryshime në konjunktivën e syrit, por në përgjithësi këto nuk ndihen menjëherë. Pasojat e ndotjes së ajrit që ndodh momentalisht në Maqedoni do të vërehen vite me radhë, d.m.th. nëse i analizojmë çdo vit rastet me kancer dhe i krahasojmë me vitet e kaluar, do të shikojmë një rritje drastike”, deklaroi Taravari.

Ndryshe, organizatat joqeveritare të ndryshme të tubuara nën platformën “Dil për ajër të pastër” mbrëmë para godinës qeveritare në Shkup kërkuan nga organet kompetente të ndërmarrin masa urgjente për parandalimin e ndotjes së ajrit. Protestuesit thonë se nëse qeveria nuk ndërmerr masa deri më 15 janar, ata do t’i bllokojnë rrugët kryesore të qyteteve të ndotura.

Ditë më parë qeveria miratoi konkluza me të cilat u rekomandoi të gjitha subjektet juridike në qytetin e Shkupit dhe komunën e Tetovës t’i lirojnë nga obligimet e punës gratë shtatzëna, personat mbi moshën 60 vjeçare me sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare, si dhe personat nën moshën 60 vjeçare me diagnozë të astmës dhe sëmundjes kronike obstruktive të mushkërive të bardha deri më 4 janar.

Qeveria e Maqedonisë u rekomandoi qytetit të Shkupit dhe komunës së Tetovës t’i intensifikojnë aktivitetet për pastrimin e rrugëve, veçanërisht rreth kopshteve./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm