Një autokolonë me eshtrat e 14 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë parakaloi të martën në Sarajevë, në prag të shënimit të përvjetorit të 29-të të masakrës.
Rrugës për në Qendrën Përkujtimore Potoçari, ku edhe do të varrosen më 11 korrik, autokolona u ndal për pak kohë para ndërtesës së Presidencës së Bosnje e Hercegovinës në qendër të qytetit.
Eshtrat e viktimave që do të varrosen, u identifikuan gjatë vitit të kaluar.
Viktima më e re është Beriz (Omer) Mujiq, i cili në kohën kur ndodhi gjenocidi më 1995, ishte 17 vjeç, ndërsa viktima më e vjetër është Hamed Salliq, atëkohë 68 vjeç.
Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Në atë kohë, Srebrenica ishte zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.
Me një vendim në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid.
Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Deri më tani, mbi 6.650 viktima të gjenocidit janë varrosur në Qendrën Përkujtimore Potoçari.
Më shumë se 1.000 persona të zhdukur janë ende në kërkim.
Gjykata të ndryshme kanë dënuar deri tash më shumë se 50 persona, me më shumë se 700 vjet burg, për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë./rel/
KQZ: Deri tani 63,997 votues nga diaspora janë regjistruar p...
FIFA nderon Trumpin me Çmimin e Paqes: Lidershipi i tij gara...
Publikohet marrëveshja në letër e Vetëvendosjes me tri parti...
Obiliq: Arrestohet një person për vjedhje të rëndë në pompë ...
KFOR-i forcon aktivitetet në mbështetje të sigurisë në të gj...
Gjobë 500 euro, pikë negative e ndalim i drejtimit të automj...