Google ADS

Prokuroria merr në pyetje Zoran Zaev-in për rastin “Puçi”

19:05 | 11 Mars 2015
Arbresh.info

Lideri i opozitës Zoran Zaev dëshmoi në prokurori për rastin ‘Puçi’. Nuk dha detaje për dëshminë, por tha se nuk është mbrojtur me heshtje. Duke folur për kallëzimin penal lidhur me mitmarrje prej 200 mijë eurove, Zaev tha se është tentim i pushtetit për kurdisje.

Pas marrjes në pyetje që zgjati një orë e gjysmë, para gazetarëve deklaroi se nuk do të shpalos detaje nga marrja në pyetje para organeve kompetente, por tha se nuk është mbrojtur me heshtje. Bëri thirrje që disa individë në prokurorinë publike dhe gjyqësor të marrin guximin për të gjykuar dhe marrë vendime në përputhje me Ligjin dhe Kushtetutën.

“Në prokurori dhe gjyqësor është një numër i madh i njerëzve të punësuar që janë të ndershëm, një pjesë e tyre janë në presion dhe një pjesë shumë e vogël janë realizues të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunëtor me pushtetin ekzekutiv për veprimet e paligjshme. Sot nuk do t’i komentoj bisedimet në prokuroi meqë dua të qëndroj në atë që e flas, ta respektoj procesin”, tha Zaev.

Zaev foli edhe për kallëzimin penal, në të cilin MPB-ja dyshon për mitmarrje duke shfrytëzuar postin e kryetarit të komunës së Strumicës. Sipas tij, bëhet fjalë për një tentim klasik për kurdisje tash e një vit e gjysmë nga ana e pushtetit, për çka paralajmëroi kundër- kallëzim penal.

Ministrja e brendshme Jankullovska, përsëriti edhe një herë se Zaev ka kërkuar një dhuratë të konsiderueshme për vete nga një person që ka dashur të privatizoj një truall në Strumicë. E pyetur nga gazetarët, pse atëherë Zaev nuk është arrestuar si i dyshuar për dy vepra penale, ministrja u përgjigj se policia punon në bazë të rregullave ligjore.

Zoran Zaev ishte i dyshuar para një muaji e gjysmë për dhunë ndaj përfaqësuesve të organeve më të larta shtetërore në tentativë, si pjesë e grupit deri tani gjashtë anëtarësh. Marrja e sotme në pyetje para prokurorit publik është e para për rastin “Puçi”. Zaev përsëriti se të gjitha materialet që i posedojnë dhe për të cilat kanë parashtruar kallëzime penale në prokurori, janë autentike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme