Google ADS

Paga në sektorin privat, më e ulët se ajo mesatare në Maqedoninë e Veriut

09:45 | 22 Janar 2021
Arbresh.info

Paga mesatare në Maqedoninë e Veriut brenda dy vjetëve të fundit ka shënuar rritje për rreth 3 mijë denarë (rreth 50 euro), duke arritur vlerën prej rreth 28 mijë denarësh (pak më shumë se 450 euro), derisa paga mesatare gjatë vitit 2018 arrinte vlerën prej 25 mijë denarësh.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore bëjnë të ditur se paga mesatare në shumë lëmi të sektorit privat gjatë vitit 2020 ka qenë shumë më e ulët se paga mesatare.

“Shumë veprimtari nga sektori privat regjistrojnë paga mesatare më të ulëta se sektori publik, edhe përskaj faktit që bizneset e vendit janë shtytësit kryesorë të ekonomisë. Nëse merret parasysh industria e tekstilit në përgjithësi, në 3 muajt e fundit të vitit 2020 ka regjistruar page mesatare prej 17.509 denarësh (285 euro), ndërsa sektori i përpunimit të lëkurës dhe të ngjashme, ka pagë mesatare prej 15.890 denarësh (255 euro), që është shumë pak më e lartë se paga minimale”.

“Një sektor tjetër me paga më të ulëta se paga mesatare ka të bëjë me objektet e akomodimit nga 19.593 (323 euro), përgatitje dhe shërbim të ushqimit prej 17.859 denarësh (290 euro). Në anën tjetër, në administrimin publik (në institucionet e shtetit) për periudhën e njëjtë, është regjistruar pagë mesatare prej 30.117 denarësh, (490 euro) që është më tepër se pjesa më e madhe e veprimtarive të sektorit privat ”, bën të ditur Durim Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se në Maqedoninë e Veriut ka 750 mijë të punësuar, prej të cilëve 130 mijë janë të angazhuar në sektorin publik, ku pagat janë shumë më të larta, por siç thekson ai, vetëm nëpërmjet përforcimit të sektorit privat, e gjithë ekonomia do të përfitojë, sidomos në aspekt të zbutjes së papunësisë, rritjes së standardit dhe kualitetit jetësor të qytetareve.

“Me qëllim të përmirësimit të standardit socio-ekonomik të punonjësve në sektorin privat dhe jo vetëm, qeveria në periudhën vijuese duhet që nëpërmjet lehtësimeve tatimore të nxisë kompanitë të investojnë, t’u sigurojë qasje në financa me çka do të sigurojnë edhe më tepër resurse për operim”, thotë Zeqiri.

Edhe nga Drejtoria e Zonave Zhvillimore Industriale Teknologjike kanë bërë të ditur se investitorët e huaj paguajnë paga nën mesatare ku janë të përfshirë rreth 14 mijë të punësuar.

Në bazë të të dhënave të vitit 2018, bruto pagat në Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike kanë qenë paga për 6.2 për qind më të ulëta krahasuar me pagën mesatare, përderisa në vitin 2019 pagat në këtë sektor kanë qenë për 5.4 për qind më të ulëta krahasuar me pagën mesatare.

“Personalisht, vlerësoj se kjo temë është e rëndësishme pasi 14 mijë bashkëqytetarë tanë e realizojnë të drejtën e tyre për të pasur një jetë me dinjitet drejtpërdrejt nga këto zona, prandaj vlerësoj se kjo temë është shumë e rëndësishme gjatë bisedimeve me investitorët.

“Për mua ishte befasuese në kuptim negativ që kompanitë e përparuara në aspektin teknologjik, paguajnë paga më të ulëta se të tjerët në suazat e ekonomisë. Nuk jemi të kënaqur me nivelin e pagave që njerëzit marrin dhe mendojmë se ky nivel duhet të jetë më i lartë. Nuk është presion ose imponim. Nuk do t’u imponojmë, por me program të veçantë për aftësitë dhe zhvillimin e produktivitetit, do t’i inkurajojmë punëdhënësit”, ka deklaruar në fillim të këtij viti Jovan Despotovski, drejtor i Zonave Zhvillimore Industriale Teknologjike.

Ndryshe nga Banka Botërore kanë theksuar se ekonomisë së Maqedonisë së Veriut do t’i duhen të paktën disa vjet për t’u këndellur nga goditja e krizës së pandemisë.

Do theksuar se me pakon e masave anti-krizë të qeverisë për të zbutur goditjen që pësuan bizneset nga pandemia, u përfshinë 60 mijë të punësuar në sektorin privat.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme