Liderët mblidhen në një takim urgjent

16:13 | 21 Shkurt 2016
M. A.

Liderët e katër partive kryesore në vend Nikolla Gruevski, Ali Ahmeti, Zoran Zaev dhe Menduh Thaçi prej para një ore janë mbledhur në një takim të jashtëzakonshëm tek Klubi i deputetëve në Shkup.

Takimi i liderëve po mbahet vetëm pak çaste para se ambasadorët, ai i SHBA-ve Xhes Bejlli dhe ai i BE-së Aivo Orav, të dalin me vlerësimin e tyre për gatishmërinë e Institucioneve vendore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Burime brenda takimit thanë për ALSAT se liderët në tavolinë kanë propozimin që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në qershor. Për këtë pritet të mësohet pasi të ketë përfunduar takimi.

Ndërkohë, ambasadorët Bejlli dhe Orav për gjysmë ore pritet të dalin me vlerësimin e tyre për gatishmërinë e Institucioneve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Jozyrtarisht mësohet se para se të japin deklaratë, dy ambasadorët do të takojnë kryeministrin teknik Emil Dimitriev.

Paraprakisht ndërmjetësi belg Piter Vanhojhte nëpërmjet rrjetit social Tëitter paralajmëroi në mënyrë ironike se është dorëzuar dhe se nuk ka gjasa që zgjedhjet në Maqedoni të mbahen më 24 prill. Vanhojte madje shprehet pesimist edhe për bisedimet që kanë të bëjnë me reformat në media. Propozoj të përcjellim kronikën në vazhdim.

VMRO DPMNE-ja nëpërmjet deputetit Ilija Dimovski bëri me dije se pavarësisht vlerësimit të ambasadorëve, kjo parti është e vendosur që të shkojë në zgjedhje më 24 prill. VMRO DPMNE-ja kërkoi që KSHZ-ja nëpërmjet një seance urgjente dhe të hapur të dalë me vlerësimin nëse janë të gatshëm që për 14 ditë të pastrojnë listën zgjedhore. Dimovski madje kritikoi edhe ndërmjetësin belg Vanhojte duke thënë se ky i fundit nuk e di rolin e tij në Maqedoni.

Për zgjedhjet e parakohshme u debatua edhe në Komisionin për arsim në Kuvend. Opozita përsëriti qëndrimin se nuk do të jenë pjesë e zgjedhjeve kriminale në prill pasi nuk ka kushte për mbajtjen e të njëjtave. Për deputetët e mazhorancës qëllimi i zgjedhjeve është stabiliteti i shtetit. Propozoj të përcjellim kronikën në vazhdim.

Shpërndaje në rrjete sociale