Interesim i madh për dozën e tretë në Tetovë

22:51 | 11 Janar 2022

Nga Shtëpia e shëndetit në Tetovë thonë se diku rreth 55 për qind e popullatës në Tetovë është vaksinuar, ndërsa ka mjek që kërkojnë shtrëngim të masave, pasi nuk është arritur niveli i duhur i të vaksinuarve.

Në Tetovë ende nuk është regjistruar asnjë rast me Omicron. Nga ana tjetër, mjekët thonë se qytetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në këtë periudhë, sepse situata është delikate, ngase simptomat e llojeve të virusit “Omicron” dhe “Fluron” janë të njëjta shumë me simptomat e gripit sezonal.

“Gjatë kësaj periudhe si zakonisht kemi gripin sezonal, ku kemi pacient që vijnë dhe ankohen me simptoma të gripit dhe duke e ditur se jemi në pandemi, në kohën e virusit korona, pra mutacionet që i bën në vazhdimësi ky virus. Për këtë arsye, apeli jonë është që pacientët të kenë kujdes, mos grumbullohen, pasi që simptomat janë gati të njëjta si tek gripi, poashtu edhe tek llojet e Covid 19.

Apeli që është të mbahet distanca, të mbahen maska dhe të mbahet higjiena personale. Sa i përket Tetovës, ende nuk kemi detektuar asnjë lloj me Omicron apo Fluron. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë të infektuar, sepse ka një numër i madh i qytetarëve që bëjnë teste edhe pse kanë simptoma të gripit”, Bekim Ismaili, mjek.

Megjithatë, edhe përkundër rritjes së rasteve të reja, mjekët nënvizojnë se ata që janë vaksinuar shumë më lehtë i kalojnë llojet e reja të kovidit.

“Për fat të mirë, ende nuk kemi rast të regjistruar me Omikron në Tetovë, edhe pse kemi pasur një intensitet shumë të madh të gripit sezonal, i cili ka prekur çdo të dytin qytetarë, mirëpo me rastin e llojit Omicron deri më tani në qytetin tonë, ende nuk kemi rast të regjistruar dhe shpresojmë që mos të kemi. Ky intensitet që na vjen nga qytetet fqinje dhe shtetet fqinje, ku shohim se dita-ditës kemi raste të reja, apeloj tek qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm. Pra qytetarët që kanë marrë vaksinën, shumë më lehtë e kalojnë llojin e ri të virusit Omicron dhe është një shkak më tepër që qytetarët patjetër të vaksinohen”, tha edhe mjeku tjetër Besnik Mustafai.

Mjekët thonë se duhet që të ketë shtrëngim të masave sepse pritet përkeqësimi i situatës në të ardhmen. “Pritshmëritë janë se mund të ketë masa të reja dhe kjo është në duart e Komisionit për sëmundje infektive dhe ato do të vendosin se si do të vazhdohet me masat. Shpresojmë që mos të kemi masa të reja. Si mjek mendoj se duhet të ketë shtrëngim të masave, sepse ende nuk e kemi arritur atë nivelin e lartë të vaksinimit, por edhe sa nuk jemi në kulmin e rritjes së numrit të të infektuarve”, tha Mustafai. Por, përderisa situata është stabile me kontrollet ambulantore dhe numrin e vogël të personave që janë shtrirë në spital, nuk mund të pritet të ketë shtrëngim të masave. Masat e reja vendosen atëherë kur stërmbushen kapacitetet spitalore.

“Vendosja e masave të reja shtrënguese zakonisht sillet kur mbushen kapacitetet spitalore dhe nëse Komisioni për Sëmundje Infektive vlerëson se mbushen shpejtë kapacitetet spitalore, atëherë do të sjellë masa të reja, por mendoj se nuk do të jetë diçka drastike nga këto që i kemi tani, apo mendoj se nuk do të jetë masat sikurse i kishim gjatë valës së parë dhe të dytë kur kishim masa rigoroze”, deklaroi Borsillav Jorgaqiesvki, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Tetovë. Ndryshe, pas përfundimit të festave të fundvitit, prej sot janë vërejtur radhë të gjata në pikën e vaksinimit në Shtëpinë e Shëndetit në Tetovë. Interesimi më i madh këtyre ditëve është për dozën e tretë, sepse pjesa dërmuese e qytetarëve të Tetovës kanë kaluar tre muaj nga marrja e dozës së dytë. Tashmë pika e vaksinimit në Tetovë ka filluar të punojë me dy ndërrime, nga ora tetë në mëngjes e deri në orën tetë në mbrëmje. Nga Shtëpia e Shëndetit në Tetovë thonë se diku rreth 55 për qind e popullatës në Tetovë është vaksinuar.(koha.mk)

Lajmet më të lexuara