Pas akuzave nga drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) për keqpërdorimin e fondeve nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), prokuroria në Beograd raportohet se ka nisur hetime ndaj organizatave të caktuara joqeveritare.
Të martën e 25 shkurtit, Policia serbe, duke vepruar në bazë të urdhrave nga Departamenti Special për Luftimin e Korrupsionit i Zyrës së Prokurorit të Lartë Publik në Beograd, ka bastisur zyrat e disa OJQ-ve për, siç është thënë, grumbullimin e provave për keqpërdorim të mundshëm të fondeve të USAID-it, raporton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).
Mësohet se me hetime po përballen OJQ-ja e quajtur Qendra për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), dhe shoqata Iniciativat Qytetare.
Policia nuk i është përgjigjur pyetjeve të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë në lidhje me aksionin.
Një ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia do t’i ndihmojë FBI-së në hetimet e saj rreth financimit të OJQ-ve serbe nga USAID-i dhe nga Fondacioni Kombëtar për Demokraci (NED).
“Pa dyshim se ne do të bashkëpunojmë ngushtë me FBI-në për këtë çështje”, ka thënë Vuçiq për televizionin Happy, duke shtuar se FBI do të marrë çfarëdo informate që ka nevojë nga Serbia.
OJQ-ja Iniciativat Qytetare njoftoi, përmjes një komunikate për media, se policia ka hyrë në zyrat e saj më 25 shkurt.
“Këtë mëngjes, rreth 20 zyrtarë policorë kanë bastisur zyrat e Iniciativave Qytetare, duke thënë se kanë urdhër nga prokuroruia për të hetuar punën e organizatës, por nuk kanë dashur ta tregojnë dokumentin”, u tha në komunikatë.
Kjo OJQ shtoi se policia ka bastisur edhe Qendrën për Politika Praktike, një organizatë që, sipas saj, nuk ka pasur ndonjë projekt me USAID-in.
“Ky është sulm serioz ndaj të drejtave themelore qytetare dhe vazhdim i trysnisë së paligjshme ndaj shoqërisë civile në Serbi. Strukturat qeverisëse po përpiqen të zbatojnë mekanizma të frikësimit dhe ndjekjes, pa miratimin e Ligjit për Agjentët e Huaj”, u tha në komunikatën e OJQ-së Iniciativat Qytatare.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kufizuar punën e USAID-it, duke urdhëruar një ngrirje 90-ditëshe të shpenzimeve të saj, më 24 janar.
Administrata presidenciale amerikane po shqyrton futjen e USAID-it nën ombrellën e Departamentit të Shtetit, si pjesë e një riorganizimi të madh që do të reduktonte numrin e punonjësve.
Që prej kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij dhe njerëz të afërt me të e kanë quajtur vazhdimisht USAID-in “organizatë kriminale”.
USAID-i u themelua më 1961, me qëllim koordinimin më të mirë të ndarjes së ndihmave amerikane jashtë vendit.
Sipas shifrave të fundit, ai ka rreth 10.000 punonjës, dy e treta e të cilëve punon jashtë SHBA-së. Në vitin fiskal 2023, USAID-i shpërndau ndihma me vlerë prej 43.79 miliardë dollarësh./REL/
ZYRTARE: Gjilani përforcohet me Besart Krivanjevan
Jessie J operohet në gji pas diagnozës me kancer, ndan pamje...
Hapësira ajrore iraniane rihapet pjesërisht për fluturime nd...
Apeli liron nga paraburgimi zyrtarin policor të dyshuar për ...
Muslija drejt Superligës së Turqisë, raportohet se dy klube ...
Policia pranon donacion nga ambasada franceze pesë automjete...