Sa janë gjasat që Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje t’i fitojnë 51% të votave?

09:45 | 22 Janar 2021

Shkruan: Emin Ahmeti

Diskutimi më i madh i kohës fundit nga simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje, është proklamimi me shumë entuziazëm se në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Kosovë me 14 shkurt, kjo parti do t’i fitoi 51 për qind të votave.

Ligji i zgjedhjeve në Kosovë e mundëson arritjen e një përqindjeje të tillë në rast se plotësohen disa kushte:

Kushti i parë dhe më i rëndësishmi është që në garë të marrin pjesë vetëm tri subjekte politike, ose thënë më mire ta kalojnë pragun vetëm tri subjekte politike, me kusht që subjekti i tretë politik të jetë shumë i dobët.

Shembull për këtë është Shqipëria ku garojnë PS, PD dhe LSI. Kështu është e mundur, në të kundërtën gjasat janë shumë të vogla për mos thënë zero.

Kusht tjetër është rritja e numrit të votuesve. Pra, pjesëmarrjen në procesin e votimit të jetë 60-70%, që thuajse është e pamundur.

Duke i parë si të paarritshme, në këtë fazë këto dy kushte kryesore [pa përfshirë kushtet tjera dytësore] atëherë themi se gjasat janë shumë të vogla që ndonjë subjekt politik në Kosovë aktualisht të fitoi qoftë edhe 51 ulëse në Kuvendin e Kosovës, e lërë më 51 për qind të votave.

Numri i votave të subjektit të parë në raport me përqindjen e fituar brenda votave të vlefshme dhe ulëseve që fitohen ndryshon.

Çfarë dëshirojmë të themi me këtë?

Nëse një subjekt politik fiton 20 për qind ma shumë se një subjekt tjetër vota, nuk do të thotë se ka fituar 20 për qind deputet më shumë se subjekti tjetër.

Shembull: Nëse VV në zgjedhjet e fundit ka fituar 221 mijë vota dhe ka marrë 26.27 për qind, NISMA ka fituar 42 mijë vota dhe ka marrë 5 për qind. Që I bie se NISMA ka 19.2 për qind të votave të fituesit.

Nëse me 42 mijë vota NISMA ka fituar 6 deputet, do të duhej që VV me 221 mijë vota të ketë 31 deputet në Kuvend, e jo 29 sa edhe kishte.

Mirëpo, ky është ligji i zgjedhjeve.

Edhe sikur NISMA të mos e kalonte pragun, VV do të merrte 32 ulëse, e jo 31 sa ia jep përqindja e lartë cekur.

Kështu që, në këto zgjedhje për t’i fituar Vetëvendosja 51 ulëse në Kuvend, fillimisht duhet që AAK të mos e kaloi pragun ashtu sikur edhe NISMA dhe në garë të mbesin vetëm 3 subjekte.

Ndërkaq, numri i votave jo detyrimisht e rritë numrin e deputetëve dhe përqindjen e subjektit politik.

Shembull:

PDK në vitin 2010 kishte 224 mijë vota dhe kishte 34 deputet në Kuvend

PDK në vitin 2014 kishte 222 mijë vota dhe kishte 37 deputet në Kuvend

PDK në vitin 2017 kishte 224 mijë vota dhe kishte 39 deputet në Kuvend

Ndërsa

Vetëvendosje në vitin 2019 kishte 221 mijë vota, aq sa kishte PDK në vitin 2010 dhe 2014, mirëpo I kishte vetëm 29 deputet.

Ku është dallimi dhe përse ka ndodhur kjo dhe mund të ndodhë përsëri?

Dallimi është se në vitin 2010 ishin pesë subjekt politike që kishin kaluar pragun zgjedhor dhe kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Në vitin 2014 vetëm katër subjekte kaluan pragun, derisa në vitin 2017 pragun e kaluan 3 subjekte politike.

Ndërsa në vitin 2019 pesë subjekte politike siguruan vota të mjaftueshme për të kaluar pragun elektoral, ndërsa Vetëvendosje me vetëm 3 mijë vota më pak se PDK që kishte në vitin 2010 nuk siguroi ulëse për 34 deputet siç kishte pasur PDK në atë kohë.

Tani, për shkak të frymës së krijuar pro Vetëvendosjes dhe sikur në garë të ishin vetëm tri subjekte politike ose eventualisht të mos e kalonin pragun as NISMA e as AAK-ja, mundësia do të ishte e madhe që Vetëvendosje të merr 51 deputet.

Në cilindo variant tjetër mundësitë janë shumë të vogla.

Përveç kësaj, është dëshmuar gjithnjë që koalicionet parazgjedhore nuk kanë ndikuar tek partitë të marrin maksimumin e mundshëm të votave sikur të garonin të vetme.

Për këtë mendoj që edhe Vetëvendosje ka bërë gabim kur ka marrë me vete në listë Vjosa Osmanin me kandidatët e sajë për deputet. Kjo do ta dëmtoi Vetëvendosjen.

Sikur lista e Vjosa Osmanit të garonte e vetme Vetëvendosje do të ishte fituese në të dyja rastet, edhe nëse Vjosa e kalonte pragun edhe sikur të mos e kalonte atë.

Në rastin e parë koalicioni pas zgjedhorë me Vjosën, do t’i siguronte Vetëvendosjes edhe 6 deputet shtesë në Kuvend. Ndërsa po të mos e kalonte pragun Vjosa Osmani me listën e saj, votat do t’i barteshin fituesit sikur në rastin që sqaruam më lartë për NISMA-ën, po të mos e kalonte pragun në vitin 2019.

Duke pasur për bazë këtë situatë, mendoj se në zgjedhjet e këtij viti do të kemi një situatë të ngjashme me atë të vitit 2017 sa i përket shifrave.

Vetëvendosje tani do të jetë PDK e 2017’ës me -+ 3.5% në deputet duke aluduar se NISMA nuk do ta kaloi pragun, ndërsa AAK do të jetë pjesë e Kuvendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara