Google ADS

Një fidan arre për 8 mars

09:54 | 4 Mars 2015
Arbresh.info

Duke dhuruar një fidanë arre, po synohet të ndihmohen qindra gra të margjinalizuara. E me këtë aktivitet, organizata “Gratë për Gratë Internacionale” (WFWI) po e shënojnë këtë vit festën e femrës, 8 Marsin. Tashmë në listën e tyre janë 700 gra që do të përfitojnë nga dhurimi i fidanëve që do t’iu bëhet, e të cilat kanë shprehur interes për kultivimin e arrës. Megjithatë, nëse do të ketë shuma më të mëdha te të hollave, nga ata që dhurojnë, mund të rritet numri i grave që do të përfitojnë.

Drejtoresha e organizatës “Gratë për Gratë Internacionale”, Iliriana Gashi thotë për KosovaPress, se qëllimi i kësaj është ndihma e grave për zhvillimin e aktiviteteve afatgjata.
Drejtoresha Gashi, thotë se duke parë përfitimet e njerëzve të cilët kanë arra, organizata WFWI ka vendosur që të provojë të zhvillojë gratë drejt një aktiviteti të tillë fitimprurës. Madje, kjo organizatë ka për synim që kjo të bëhet tradicionale, çdo vit të ofrohen dhurata të tilla.

“Qëllimi është që grave me iu ofrua një investim afatgjatë. Ne iu ndihmojmë grave edhe me disa investime afatshkurta por arra jeton me qindra vite, me dhjetëra vite me qindra kilogramë arra mund të shiten, do të thotë kjo është një mundësi me gjeneru të holla për gra”, thotë ajo.

Aktualisht janë të përzgjedhura 700 gra që do të përfitojnë nga ky program. Fushata nisi me 1 mars për të përfunduar ditën e premte, më 6 mars. E deri tani, në organizatë thonë se gjithçka është duke shkuar shumë mirë.

“Ne i kemi në listë 700 gra të cilat e kanë përfunduar programin tonë, ose janë në program momentalisht. Ato kanë dëshirë edhe kanë vend me kultivua arrën edhe varësisht se sa numër të dhuruesve do të ketë, aq gra do të përfitojnë. Listat do të merren dhe do të bëhetpërputhja e merave të dhuruesve edhe të grave që do të përfitojnë. Javën e ardhshëm ne do t’i informojnë ata të cilët janë lajmëruar dhe i kanë transferua të hollat, i kanë dhënë, do t’i informojmë se ku është arra e tyre, se kush e marrë”, thotë ajo.

Me rëndësi të madhe po del të jetë edhe interesimi i madh i njerëzve nga diaspora. Ata po lajmërohen në zyrat e organizatës ku po shprehin vullnetin për të kontribuar në këtë projekt.

“Është shumë bukur, se po shohim që njerëzit po lajmërohen prej diasporës. Sot e kemi pasë një zotëri i cili kishte shumë vështirësi me i transferua paratë, por dy orë ndoshta ka qenë në bankë derisa e ka bërëtransferin për dhuratë”, thotë ajo.

Pasditen e së premtes pritet të mbyllet grumbullimi i fondeve ku edhe do të merret raporti prej bankës, se sa është shuma e të hollave dhe sa njerëz kanë dhuruar.

E veçanta e kësaj fushate është se njerëzit që do të dhurojnë, pastaj do të mund të dinë se kush ka përfituar nga arra e tyre, ani pse fillimisht kur i dhurojnë të hollat nuk janë në dijeni se në cilën familje do të shkojë dhurata.

Një fushatë e tillë po bëhet për herë të parë në Kosovë. Organizata “Gratë për Gratë Internacionale”, planifikon këtë ta bëjë tradicionale, veçse, në vitet e ardhshme të dhurojnë edhe lajthi, gështenja apo diçka të ngjashme.

Personat e interesuar për të bërë një dhuratë për një grua të Kosovës, mund të telefonojnë ne numrin 045 266 267 ose 049 555 451 ku do të marrin numrin e xhirollogarisë në të cilin do të mund të transferojnë 15 euro, dhe javën e ardhshme do të kontaktohen për t’u informuar në lidhje me emrin dhe adresën e gruas që do të marrë dhuratën.

“Gratë për Gratë Internacionale” ka trajnuar më shumë se 31.000 gra të margjinalizuara nëpërmjet programit të saj 12 mujor. Gjithashtu, organizata ka zyrën për punësim e cila ka ndihmuar mbi 400 gra, që kanë përfunduar programin, të gjejnë punë prej vitit 2012.

 

Shpërndaje në rrjete sociale