Firma e kukullës Labubu pret të ketë një rritje të fitimit me 350%

23:31 | 21 Korrik 2025
E.H

Pop Mart, firma kineze e lodrave që qëndron pas lodrave jashtëzakonisht popullore Labubu, ka thënë se fitimet e saj pritet të rriten ndjeshëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti. Kompania me seli në Pekin tha se pret që fitimet për këtë periudhë të rriten me të paktën 350%, ndërsa të ardhurat janë më shumë se trefishuar.

Pop Mart, e cila ka një vlerë në bursë prej më shumë se 40 miliardë dollarë, tha gjithashtu se fitimi është rritur falë njohjes më të madhe të markës në nivel global dhe kontrollit të kostove.

Koleksionuesit janë bërë të fiksuar pas lodrave virale Labubu, krijesa imagjinare që duken si elfa me dhëmbë të mëdhenj, të cilat janë shitur me shpejtësi dhe kanë shkaktuar radhë të gjata në dyqane në mbarë botën.

Pop Mart është më e njohur për shitjen e lodrave në një lloj paketimi që fsheh përmbajtjen derisa të hapet. Kjo taktikë marketingu është kritikuar se po inkurajon sjellje të ngjashme me lojërat e fatit dhe blerjet kompulsive.

E lançuar në vitin 2019, lodrat Labubu kanë ndihmuar kompaninë të bëhet një shitës i madh me pakicë, duke operuar më shumë se 2 mijë makina shitëse dhe dyqane në mbarë botën.

Pop Mart nisi të shiste aksionet e saj në Bursën e Hong Kongut në vitin 2020. Vlera e saj në tregun e aksioneve është rritur me gati 600% gjatë vitit të fundit.

Siç shkruan BBC, shitjet jashtë Kinës kontinentale përbënin gati 40% të të ardhurave totale të saj në vitin 2024. Shumë dyqane në mbarë botën u detyruan të ndalonin përkohësisht shitjen e lodrave Labubu për shkak të kërkesës së jashtëzakonshme, transmeton tvklan.al.

Labubu ka njohur sukses të madh, veçanërisht në SHBA, falë promovimeve nga të famshëm si Kim Kardashian dhe Lisa nga grupi Blackpink.

Bashkëpunimet e Pop Mart me emra të mëdhenj si Coca-Cola dhe One Piece gjithashtu e kanë rritur dukshëm profilin e Labubu në botë.

Në qershor, shitjet e Labubu në SHBA u rritën me 5 mijë % krahasuar me një vit më parë, sipas vlerësimeve nga firma e kërkimeve financiare M Science.

“Nuk kam parë asgjë të ngjashme nga kompani të tjera lodrash,” tha për BBC-në analisti Vinci Zhang. Ai shtoi se kompania ka potencial të madh në SHBA, ku operon rreth 40 dyqane, në krahasim me rreth 400 që ka në Kinë.

Furia për të blerë ka krijuar një treg të lulëzuar rishitjesh, ku lodrat, të cilat fillimisht shiten për rreth 10 dollarë, mund të arrijnë çmime prej qindra dollarësh.

Në qershor, një Labubu në përmasë njerëzore u shit për 150 mijë dollarë në një ankand në Pekin. Popullariteti i Labubu ka nxitur gjithashtu një rritje të falsifikimeve, shpesh të njohura si lodrat Lafufu.

Autoritetet kineze sekuestruan më shumë se 46 mijë lodra të rreme Labubu në qershor, ndërsa po përpiqen të luftojnë tregun e zi në rritje për këto lodra.

Shpërndaje në rrjete sociale