Institucioni më i lartë përfaqësues në vend, Kuvendi i Kosovës, vijon të jetë i bllokuar.
Për të gjashtën herë me radhë, deputetët nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin, duke dështuar sërish në zgjedhjen e kryetares.
Si rrjedhojë, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, ka caktuar një seancë të re për të dielën, e shtata me radhë që nga mbajtja e zgjedhjeve.
Procesi ka ngecur për shkak të mungesës së votave për zgjedhjen e Albulena Haxhiut, kandidate e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e kryetares së Kuvendit. Ajo mori vetëm 57 vota, ndërkohë që i nevojiteshin të paktën 61 për të siguruar postin.
Për këtë situatë, Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI)-thotë se vendi ndodhet në një ngërç politik, pasi mungon plotësisht kompromisi, konsensusi dhe marrëveshja mes partive parlamentare për mënyrën e vazhdimit të procesit.
Ai për Arbresh.info thekson se as Kushtetuta e as Rregullorja e Kuvendit nuk caktojnë ndonjë afat apo kufizim kohor për përfundimin e procesit të zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, prandaj ky proces do të vazhdojë të zvarritet derisa të sigurohen votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit.
“Politikisht veçse jemi në një ngërç politik sepse nuk ka asnjë kompromis, asnjë konsensus dhe asnjë marrëveshje mes partive politike parlamentare se si të procedohet më tutje. As kushtetuta e as Rregullorja e Kuvendit nuk përcakton ndonjë afat apo limit kohor se kur mundet të përfundoj e tërë kjo sagë e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve. Me një fjalë procesi do të zvarritet deri në momentin kur sigurohen votat për zgjedhjen e kryetarit”, thotë Bugaqku.
Sipas tij, dështimi për ta konstituuar Kuvendin, përkatësisht për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët, nuk e çon automatikisht vendin në zgjedhje të reja.
“Mos konstituimi i Kuvendit, pra mos zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve nuk e dërgon vendin në zgjedhje. Ska asnjë afat kushtetutes as në Kushtetutë as në Rregullore të Kuvendit që përcakton se nëse nuk zgjidhet kryetari dhe nënkryetarit brenda 30 dite vendi shkon në zgjedhje. Përkundrazi, në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2014, të njohur tashmë si vendimi në rastin VLAN, Gjykata ka sqaruar që mos konstituimi i Kuvendit nuk e dërgon vendin në zgjedhje, pra ska për pasojë shkuarja në zgjedhje të parakohshme”, pohon ai.
Në këtë situatë, Bugaqku vlerëson se është koha që Presidentja të ndërhyjë dhe të thërrasë në konsultim liderët e partive parlamentare, me qëllim që të arrihet një zgjidhje për këtë situatë.
“Prandaj, në këtë situatë është koha që të aktivizohet Presidentja dhe të ftoj në konsultim të gjithë krerët e partive parlamentare në atë mënyrë që të bëhet përpjekje maksimale për ta gjetur një zgjidhje të kësaj çështjeje. Kushtetuta e ngarkon atë me detyrën për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, dhe në një situatë si kjo – ku institucioni më i lartë përfaqësues është i bllokuar – angazhimi i saj politik dhe institucional është i justifikuar por edhe i domosdoshëm. Personalisht, mendoj që nëse nuk arrihet ndonjë konsensus e as ndonjë marrëveshje politike për të kaluar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe atëherë Presidentja duhet të provojë mundësitë ligjore e kushtetuese që këtë çështje ta kalojë në Gjykatë Kushtetuese për ta kërkuar zgjidhjen se si të ecet më tutje”, përfundon ai.
Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmërinë për të zhvilluar konsultime me liderët e partive politike në çdo kohë që ata e konsiderojnë të nevojshme, për të adresuar situatën në Kuvend./Arbresh.info/
Koha e duhur për municione? Kosova futet në lojë
Policia arrin t’i arrestoj dy të dyshuar në Gjilan, në filli...
Rekomandimi i “Travel and Tour World”: Vizitoni Shqipërinë g...
Më shumë diell, më pak shi – Parashikimi i motit për p...
Tahiri: Çmimet në Kosovë çdo ditë më shtrenjtë, vetëm pagat ...
Vdes veterani i UÇK-së Shani Kurtaj