ZRRE u bën thirrje bizneseve: Lidhni kontrata me furnizues të licencuar deri më 30 korrik

14:26 | 24 Korrik 2025
E.K

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se konsumatorët që aktualisht furnizohen me energji elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), përmes skemës së Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), do të mbeten pa energji nëse nuk nënshkruajnë marrëveshje me një furnizues të licencuar deri më 30 korrik 2025.

Ky afat i fundit vlen për të gjithë konsumatorët që janë futur në këtë skemë nga data 1 qershor 2025.

Sipas ZRRE-së, mosveprimi brenda periudhës së përcaktuar do të çojë në ndërprerje automatike të furnizimit me energji elektrike.

“Furnizimi nga FMF është një masë e përkohshme që ka për qëllim sigurimin e vazhdimësisë së furnizimit me energji elektrike për konsumatorët të cilët, për çfarëdo arsye, kanë mbetur pa furnizues komercial. Ky furnizim i garantuar nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe nuk mund të vazhdohet pas datës së lartcekur”, ka thënë ZRRE-ja në njoftim.

Rregullatori u ka bërë thirrje konsumatorëve të prekur që sa më shpejt të lidhin kontrata komerciale me furnizues të licencuar.

“Mosveprimi brenda afatit të paraparë do të rezultojë me ndërprerjen automatike të furnizimit me energji elektrike pas datës 30.07.2025, përkatësisht sipas afatit gjashtëdhjetë (60) ditor, pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht”, ka bërë të ditur Zyra e Rregullatorit.

ZRRE thekson se liberalizimi i tregut të energjisë është duke u zbatuar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe praktikat më të mira rregullatore.

ZRRE riafirmon përkushtimin për të ndërtuar një treg funksional, konkurrues dhe transparent, duke garantuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurinë juridike në çdo fazë të procesit të liberalizimit./Arbresh.info