Zgjedhjet po afrohen, Asambleja në Prishtinë pa seanca të rregullta

21:48 | 14 Korrik 2025
E.G

Kur kanë mbetur më pak se tre muaj nga zgjedhjet lokale, shumë tema të rëndësishme për jetën urbane në kryeqytet rrezikojnë të mbeten pa u trajtuar. Asambleja Komunale e Prishtinës nuk po arrin të mbajë seanca të rregullta, ku do të trajtoheshin një varg vendimesh që po presin në rend të ditës.

Nga partia opozitare, Vetëvendosje e drejtojnë gishtin nga ekzekutivi.

“Kanë munguar, sidomos seancat e rregullta, ka shumë tema që nuk janë trajtuar fare. Ka tema të cilat nuk ka shumicë edhe për të cilat ka dallime mes subjekteve politike. Natyrisht dëmtohet qytetari. Faji dihet është i ekzekutivit. Këto e shumë tema tjera e bëjnë që puna e kuvendit të cilësohet e mangët dhe dëmi jashtëzakonisht është i madh për qytetarët e Prishtinës”, tha Feim Osmani, asamblist i VV-së në Prishtinë.

Asamblisti, Gëzim Mehmeti, u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në kuvendin e Prishtinës, që të bashkëpunojnë për kalimin e pikave të rëndësishme për qytetarët e kryeqytetit.

“Bazuar në përgjegjësitë dhe votën që kanë marrë nga qyetarët e Prishtinës, të veprojnë për interesat e qytetit”, tha ai.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti në pushtet në kryeqytet thonë se do të duhej të zhvilloheshin seanca në këtë afat kohor, mirëpo sipas LDK-së, nuk e dijnë sa do të arrijnë t’i thërrasin dhe të jenë funksionale, pasi sipas tyre, kuvendi është bllokuar nga opozita.

“Kemi shumë dëm në këtë drejtim, sepse ka shumë pika të rendit të ditës që nuk kanë arritur të miratohen, kemi rregullore të ndryshme që e zhvillojnë jetën urbane të Prishtinës, subvencione që nuk po realizohen, kemi pagesa të ndryshme që nuk janë bërë tek komunitetet në nevojë, dhe paralizohet me njëfarë mënyre jeta në qytetin e Prishtinës”, tha Fiknete Bejta, asambliste e LDK-së.

Një nga çështjet e cila nuk ka arritur të gjejë pajtueshmëri mes pozitës dhe opozitës në kryeqytet, është miratimi i planit zhvillimor komunal, dhe korniza afatmesme buxhetore, të cilësuara dokumentet më të rëndësishme, të komunës./rtk