Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar ndaj një postimi të mëhershëm të Visar Korenicës, kandidat i kësaj partie për kryetar të Rahovecit.
Në një postim Korenica kishte shkruar se “Izraeli do të zhduket”, por të papranueshëm e ka cilësuar shefi i tij, Visar Ymeri.
“Statusi i Visar Korenicës i shkruar më parë për Izraelin, as nuk paraqet qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, as nuk është i drejtë dhe as i pranueshëm. Ai nuk përkon me konceptin politik të Lëvizjes, ky i fundit i bazuar në parimet e të drejtave universale të barazisë e bashkekzistencës paqësore mes popujve”, ka reaguar Ymeri përmes një postimi në Facebook.
“Mospajtimi me politikën e caktuar shtetërore nuk guxon të eskalojë në thirrje për zhdukjen e një shteti. Secili popull ka të drejtën e tij ta organizojë jetën kolektive në liri e barazi, dhe assesi e asnjëherë duke ia cenuar këto të drejta një populli tjetër”, ka shtuar ai.
Ymeri ka sqaruar se Korenica ka kërkuar falje për statusin e tij të Facebookut dhe ka thënë se kandidati i Rahovecit e kishte shkruar “nga zemërimi momental dhe ajo nuk paraqet qëndrimin e tij”.
“Kur të zgjidhet në këtë pozitë, ai do të ketë shumë punë për ta drejtuar komunën, për ta përmirësuar përkrahjen për bujqësinë, për të krijuar kushte të nevojshme e të domosdoshme për shëndetësi cilësore, e rend e disiplinë në shkolla”, ka shkruar Ymeri.
“Fusha e politikës së jashtme dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare mbetet çështje e institucioneve qendrore, të cilat në dhjetëvjeçarin e fundit kanë kontribuar drejtpërdrejtë në degradimin e tyre, duke u përpjekur njëkohësisht ta kamuflojnë këtë dështim përmes shpifjeve ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, ka shtuar ai.
Hovenier: Kosova nuk është më në tranzicion, duhet të përmbu...
18-vjetori i Pavarësisë, Marco Rubio: SHBA e palëkundur në m...
FFK uron Ditën e Pavarësisë së Kosovës!
Përvjetori i Pavarësisë, Nasim Haradinaj: I mangët pa çlirim...
Kryetari i OVL-UÇK-së: Sot festojmë lirinë, por nuk harrojmë...
Rama s’merr pjesë në marshin “Drejtësi, jo Politikë” në mbës...