Ymeri: Dialogu me Serbinë e rrezikon sovranitetin e shtetit të Kosovës

18:46 | 20 Maj 2015
M. A.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, janë takuar sot me Ambasadorin e Republikës Çeke në Kosovë, Ivo Silhavy, dhe zëvendësambasadorja, Jana Kalman, në Ambasadën e Çekisë në Prishtinë.

Gjatë takimit, Ymeri bëri një prezantim të shkurtër të situatës politike dhe ekonomike në vend si dhe të planeve dhe programit politik të Lëvizjes Vetëvendosje. Më tej ai shpjegoi se modeli ekonomik neoliberal i ndjekur nga qeveritë e mëhershme e ka thelluar krizën ekonomike të vendit dhe ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e papunësisë dhe në eksodin e qytetarëve drejt shteteve evropiane.

“Për ta tejkaluar këtë situatë nevojitet një model i ri ekonomik bazuar mbi vlerat e social-demokracisë, ku shteti bëhet aktor në ekonomi për të hapur vende të reja pune dhe për të bërë një rishpërndarje më të barabartë të të ardhurave”, ka thënë Ymeri, raporton Koha.net.

Ai shpjegoi gjithashtu se pasojat e dialogut me Serbinë e rrezikojnë drejtpërdrejt sovranitetin e shtetit të Kosovës, dhe tha se “nuk kanë kontribuar për integrimin e serbëve në shoqërinë e Kosovës, por në ndarje të mëtejshme”.

Ambasadori Silhavy, shprehu mirëkuptim për përcaktimin e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt i qendrës së majtë, si dhe foli për bashkëpunimin e frytshëm që Ambasada ka patur deri më sot me Komunën e Prishtinës.

Ai u interesua për t’u informuar më shumë mbi disa pjesë të programit dhe qëndrimeve politike të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe shprehu gatishmërinë për ta rritur nivelin e komunikimit në të ardhmen.

Shpërndaje në rrjete sociale