VV-ja: Boiken Abazi është deportuar me forcë për në Shqipëri

17:12 | 16 Mars 2016
M. A.

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate për media jep detaje në lidhje me ndalimin e aktivistit të kësaj Lëvizje Boiken Abazi.

Sipas VV-së, Abazi, pasi është arrestuar prej policëve civilë, është dërguar në stacion, ku i është dhënë një vendim për ekstradim me forcë, të cilin Boiken Abazi ka refuzuar ta nënshkruajë, për shkak se argumentet e paraqitura në atë vendim, janë të pavërteta.

“Në vendimin policor shkruhet se Boiken Abazi ka dalë prej Kosovës në datën 03.02.2016 dhe nuk ka të dhëna për hyrje të ligjshme në Kosovë. Ky është një mashtrim i drejtpërdrejtë. Boiken Abazi ka hyrë legalisht në Kosovë, në të njëjtën ditë, duke qenë në shoqërimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti, dhe Ramadan Deliut, dhe duke kaluar kontrollin normal kufitar në pikën doganore të Morinës”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes.

Sipas kësaj komunikate Abazi nuk është përballur me asnjë trupë gjykuese, nuk i është dhënë mundësia të ankohet, apo të apelojë vendimin që është marrë ndaj tij, dhe nuk është lejuar të takohet me avokat – duke ia pezulluar kështu arbitrarisht edhe të drejtat e liritë themelore të përshkruara në konventat ndërkombëtare ku bën pjesë edhe Kosova.

VV njofton tutje se Boiken Abazi është dërguar me shoqërim të policisë në zonën neutrale mes Kosovës e Shqipërisë. “Atë nuk e kanë lejuar të marrë as veshjet e as dokumentat e gjësendet personale. Pra, Boiken Abazi është trajtuar si person i rrezikshëm, edhe pse askund në vendim nuk shkruhet se ai është person i rrezikshëm e se duhet trajtuar si i tillë”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se deportimi i Boiken Abazit, i cili është anëtar i Kryesisë dhe sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i kësaj Lëvizje po bëhet për dy arsye: sepse është anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe sepse është shtetas i Shqipërisë.

“Prej Kosovës nuk deportohen shtetasit e Serbisë që ushtrojnë aktivitete në strukturat ilegale paralele në Kosovë, apo anëtarët e mafisë ballkanike që bashkëveprojnë me pushtetarët e Kosovës. Por, po deportohet një qytetar i Shqipërisë, vetëm për angazhimet dhe aktivitetet e tij politike e kombëtare”, thuhet në njoftim të VV-së.

Sipas VV-së shteti i fundit që ekstradon qytetarë të Shqipërisë për shkak të angazhimit të tyre politik, ka qenë Greqia. Tash, këtë gjë e bën dhe Kosova.

“ Qeveria antishqiptare e proserbe e Kosovës, po kthen në kujtesën tonë vitet më të errëta të përndjekjes politike dhe të terrorit ndaj shqiptarëve. Kosova e ‘Zajednicës’ dirigjohet nga Beogradi i Vuçiqit, prandaj ajo nuk mund të jetë as demokraci e as shtet i shqiptarëve, edhe pse shqiptarët luftuan dhe dhanë jetën për të pasur pavarësi në tokën e tyre.
Neomillosheviqët e qeverisë së Isa Mustafës nuk do t’i lejojmë t’i përzënë arbitrarisht shqiptarët prej Kosovës, për shkak të angaz himit të tyre politik”, thuhet në njoftim.

Sipas Lëvizjes mbështetësit e fashizmit në Kosovë janë duke gjetur tek qytetarët e Shqipërisë “hebreun” e tyre, dhe janë duke i përdorur mjetet e tyre propagandistike, mediet e portalet, për të bërë thirrje për linçime.

“Por Kosova është atdhe i të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, e shumë shpejt do të bëhet edhe republikë demokratike, prej së cilës asnjë qytetar, i asnjë vendi të botës, nuk do të mund të deportohet arbitrarisht”.

1559544_10153269563507000_2920775465799041187_o 581869_10153269563512000_8131277426571662081_n

Shpërndaje në rrjete sociale