VV e dërgon në Kushtetuese vendimin e Supremes, kërkon masë të sigurisë

17:00 | 27 Mars 2025
E.G

Lëvizja Vetvendosje sot ka parashtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme për votat me postë në Gjykatë Kushtetuese  teksa ka kërkuar edhe masë të përkohshme.

Vendimin e Supremes, VV e ka cilësuar si  “absurd dhe të ndikuar politikisht”, shkruan Arbresh.info.

“Konsiderojmë se është detyrë e të gjithëve dhe veçanërisht e inistutcioneve të thirrura që të ruajnë vullnetin e shprehur të qytetarëve në procesin zgjedhor, vullnet nga i cili buron legjitimiteti i secilit institucion të Republikës. Kësisoj, vetëm një vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese do të ishte siguresë e ndalimit të deformimi të tillë.”, thuhet në njoftim.

“Në këto rrethana vendimi në kohë sa më të hershme në lidhje me kërkesën për masë të përkohshme do të ishte mundësi e vetme e parandalimit të tjetërsimit dhe deformimit të vullnetit të shprehur të qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.”, thuhet tutje.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.

Certifikimi u bë pasi kanë kaluar të gjitha afatet e ankesave të partive dhe kandidatëve për deputetë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 27mars:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar 42.30% të votave,

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.95%,

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 18.27%,

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06% të votave.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar 4.26% të votave.

Bazuar në këto përqindje, LVV-ja ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 24, LDK-ja 20, Lista Serbe 9 dhe koalicioni AAK-Nisma 8 vende./Arbresh.info/

LEXO EDHE:

KQZ certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

Shpërndaje në rrjete sociale