Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha për televizionin publik të Serbisë RTS se marrëveshjet që do të nënshkruhen më 21 dhjetor në Tiranë, janë “bërthamë e diçkaje që do të bëjë që kjo pjesë e Evropës, të jetë pa kufij”.
Vuçiq vlerësoi se “Ballkani i Hapur” është një ide e madhe, që, sipas tij, vetëm se do të forcohet.
Ai i bëri komentet në Tiranë, ku po mbahet takimi i liderëve të nismës për bashkëpunim rajonal “Ballkani i Hapur”.
Pos nikoqirit të takimit, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në bisedime marrin pjesë edhe Vuçiq, edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Përmes video-lidhjes u kyç edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, duke i nxitur ata që ta vazhdojnë këtë nismë.
Në fjalën hyrëse, Rama tha se marrëveshjet që do të nënshkruhen, do të përcaktojnë një hap të rëndësishëm përpara drejt objektivit të nismës, që është: liria e plotë e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe kapitalit.
Rama përsëriti thirrjen që edhe vendet e tjera të Ballkanit t’i bashkohen nismës.
Zaev tha se nisma është një “proces autentik” i Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por edhe ai shtoi se është e hapur për të gjitha vendet në rajon.
Tre liderët zhvilluan edhe një darkë pune më 20 dhjetor në Elbasan.
Takimi dhe shkuarja e Vuçiqit në Shqipëri nxitën protesta në Tiranë.
Mijëra protestues dolën të hënën në rrugë, pas thirrjes së ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Berisha tha se protesta organizohet në “mbrojtje të interesave të kombit shqiptar”.
“Dua t’i garantoj shqiptarët se kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal. Kjo është një protestë kundër një projekti që është refuzuar nga Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Një projekt që nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon”, tha Berisha.
Protestuesit, mes tjerash, dogjën një flamur të Serbisë.
Vuçiq tha se nuk dëshiron ta komentojë këtë ngjarje, duke theksuar se “duhet shikuar kah e ardhmja”.
“Nuk do të hyj në arsyet e tyre të brendshme partiake, por sigurisht se është e papranueshme përdhosja e simboleve dhe mendoj se Shqipëria ka reaguar menjëherë, seriozisht dhe me përgjegjësi”, tha Vuçiq.
Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ajo u iniciua nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019.
Nisma, që fillimisht u quajt “Mini-Shengen”, sipas iniciuesve të saj, parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis të tria vendeve.
Në takimin në Tiranë pritet të nënshkruhen gjashtë marrëveshje, paralajmëruan zyrtarët serbë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, tha se do të vendoset për krijimin e një tregu të përbashkët të punës.
“Takimi i 21 dhjetorit mes liderëve është dëshirë e sinqertë që të krijohet tregu i përbashkët në kuadër të tri ekonomive dhe ftesë për fqinjët që të përfshihen në të. Ekonomitë, të cilat nuk janë aktualisht pjesë e iniciativës, janë megjithatë pjesë psikike e saj”, tha Çadezh.
Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Këto tri shtete kanë vendosur që lëvizja e qytetarëve të tyre të bëhet me letërnjoftime.
Në kuadër të kësaj nisme është arritur edhe marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.
Këto tri shtete kanë vendosur që nga 1 janari i vitit 2023 t’i heqin edhe kontrollet doganore.
Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar po ashtu marrëveshje për bashkëpunim sa i përket parandalimit dhe eliminimit të pasojave të fatkeqësive natyrore.
Tri vende të Ballkanit Perëndimor kundërshtojnë të bëhen pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”: Kosova, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi.
Zyrtarët në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, kanë argumentuar se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Përfaqësuesit politikë të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërkaq, mbajnë qëndrimin se nuk bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë e rrugës së tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Sulmi kibernetik lë jashtë funksionit shërbimin postar të Fr...
Besa Famgas, kampione vjeshtore në Superligën e Kosovës
Rusia përshkallëzon sulmet ndaj rajonit kyç të Ukrainës, Ode...
Neymar operohet me sukses, synimi i tij i vetëm është pjesëm...
Aksident me vdekje në Tepelenë-Memaliaj, humb jetën 45-vjeça...
Durmishi: Rrugët në brezin kufitar po rrisin sigurinë dhe zh...