Vuçiç në SHBA, heshtë për Kosovën

13:13 | 18 Shtator 2015
M. A.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u prit mbrëmë në Uashington nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, pas takimit me Zëvendëspresidentin Xho Bajdën. Kerri tha se, pati një takim të mirë me Vuçiçin, por pranoi se duhet bërë ende punë kur është fjala për marrëveshjet me Kosovën.

“Ende ka punë për t’u bërë, siç e di edhe Kryeministri, por mendoj se ai dhe të tjerët janë duke e çuar këtë sfidë përpara dhe kjo është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Kerri para gazetarëve, para takimit me Vuçiçin. Ndërkohë Vuçiç nuk e përmendi Kosovën në fjalën e tij.

Sipas zyrës së zv.Presidentit, gjatë takimit, është diskutuar rëndësia strategjike e përpjekjeve të Serbisë për të nxitur pajtimin rajonal në Ballkan dhe për të çuar përpara dialogun me Kosovën, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Palët diskutuan edhe mbi procesin e integrimit në Bashkimin Europian, për të cilin të dy udhëheqësit janë dakord se do të garantonte qëndrueshmërinë afatgjatë për Serbinë dhe rajonin. Duke përshëndetur përpjekjet dhe durimin e treguar nga Serbia për përballimin e valës së refugjatëve, Bajdën premtoi se do të shikojë mundësinë që SHBA-të të japin mbështetje shtesë.

Letër kundër Vuçiçit

Në prag të vizitës së Aleksandër Vuçiç në Uashington, pesë anëtarë të Kongresit amerikan i dërguan një letër zv.presidentit Bajdën, ku e akuzonin Kryeministrin serb se ka lidhje me blerjen e disa kompanive strategjike dhe me keqësimin e mjedisit mediatik në vend. Anëtarët e Kongresit akuzojnë se, një grup i vogël njerëzish të drejtuar nga vëllai i Kryeministrit, Andrej Vuçiç dhe dy miq të tij të ngushtë, Nikolla Petroviç dhe Zoran Koraç, kanë konsoliduar ndikimin dhe interesin e tyre në fushat e energjisë, telekomunikacionit, infrastrukturës dhe në të gjitha bizneset e mëdha në Serbi.

Kongresmenët thonë në letër se marrëdhëniet e këtij grupi me të dërguarin e posaçëm të presidentit rus, Vladimir Putin, Alexander Babakov, duhet të shqyrtohen me imtësi. Në letër thuhet gjithashtu se të drejtat e gazetarëve “kanë rënë në pikën e tyre më të ulët që prej tiranisë së Sllobodan Millosheviçit” dhe se mediat në Serbi kontrollohen drejtpërdrejt nga Kryeministri, famila e tij dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të tij të biznesit. Anëtarët e Kongresit kritikojnë edhe mungesën e përparimit në zgjidhjen e çështjes së tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë me origjinë shqiptare që luftuan përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më vonë u vranë në një qendër stërvitore të policisë në Serbi. “Pavarësisht nga premtimet e bëra ndaj familjes Bytyçi dhe qeverisë amerikane, Serbia ende nuk i ka gjetur fajtorët”, përfundon letra.

Shpërndaje në rrjete sociale