“Vogue” i kushton artikull të mbijetuarave të dhunës seksuale – pjesë edhe Vasfije Krasniqi Goodman nga Kosova

09:20 | 8 Korrik 2025
E.K

Revista prestigjioze “Vogue” i ka kushtuar një artikull të veçantë të mbijetuarave të dhunës seksuale, në kuadër të projektit ndërkombëtar “Let’s Talk About Rape” (Le të flasim për përdhunimin) nga fotografja dhe aktivistja Jadwiga Brontē.

Ky projekt i fuqishëm, që bashkon dëshminë, rezistencën dhe rikuperimin përmes fotografisë, synon të japë zë grave që kanë përjetuar trauma të rënda – përmes një forme të ndjeshme dhe të fuqishme të vetë-reprezentimit.

“Ka plagë aq të thella saqë dështon t’i përshkruash. Dhunimi është një prej tyre. Ai hesht me forcë dhe më pas me turp—duke i lënë të mbijetuarit të izoluar jo vetëm në dhimbjen e tyre, por edhe në paaftësinë e perceptuar për të folur për të”, shkruan artikulli i Vogue, duke e hapur rrëfimin me një të vërtetë që rëndon mbi shumë gra në botë.

Në mesin e shumë grave pjesëmarrëse nga vende të ndryshme, pjesë e këtij projekti është edhe Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuara e parë nga Kosova që foli publikisht për dhunën seksuale të përjetuar gjatë luftës.

Vasfije ishte vetëm 16 vjeçe kur u rrëmbye dhe u dhunua nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve ’90. Për vite me radhë ajo qëndroi në heshtje, si shumë gra të tjera që u përballën me të njëjtën dhimbje. Por në vitin 2015, ajo vendosi të flasë hapur – duke u bërë gruaja e parë shqiptare nga Kosova që dëshmoi publikisht për dhunën seksuale gjatë luftës.

Që atëherë, Vasfije është kthyer në një zë të fuqishëm të të mbijetuarave dhe në një simbol të guximit, duke folur jo vetëm për veten, por edhe për ata që ende nuk kanë mundur ta thonë të vërtetën e tyre.