Në një postim në facebook, Osmani ka theksuar se Engel ishte shumë më tepër se një përkrahës politik, duke shtuar se ai e donte popullin e Kosovës me gjithë zemër dhe qëndroi pranë tij si në kohë sfidash, ashtu edhe në suksese.
“Një njeri i madh, një njeri i mirë, një mik i rrallë i Kosovës, na la sot! Kongresisti Eliot Engel ishte shumë më tepër se thjesht një kongresist përkrahës i Kosovës. Ai e donte popullin e Kosovës me gjithë zemër dhe ishte me ne në sfida e në suksese.
Kudo që udhëtoja në botë, takoja liderë që më thoshin: “Eliot Engel na ka telefonuar për të na kërkuar njohjen e Kosovës”, si dhe të tjerë që thonin: “E kam firmosur njohjen e Kosovës sepse ia premtova Eliot Engel-it.”Këdo që takoja në Kongres, thoshte: “Ju keni pasur një mik të madh këtu, që gjithmonë fliste për Kosovën.”
Ai nuk e ndali kurrë këtë ndihmë dhe këtë përkrahje, edhe kur gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua. Në fakt, ai ishte zëri ynë në Kongresin amerikan dhe përtej tij. Prandaj, kujtimi i tij do të jetë i përhershëm në zemrat e të gjithë qytetarëve të Kosovës! Faleminderit, Eliot Engel! Zoti e bekoftë shpirtin tënd të bardhë”, ka shkruar Osmani.