Edhe një vit pas miratimit të tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Ligji për çmimin e produkteve medicinale ende nuk po zbatohet.
Por, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, bëri të ditur se në tremujorin e fundit të këtij viti, ky ligj pritet të hyjë në fuqi.
Këtë deklaratë, ministri e bëri para deputetëve gjatë raportimit për listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale, raporton Arbresh.info.
“Janë afatet ligjore kur pritet të hyj në fuqi ky ligj. Me respektimin e afateve, pas përfundimit të të gjitha proceseve të ankimimit, të kthimit të përgjigjeve që janë procese administrative, unë pres që në tre mujorin e fundit të këtij viti, qytetarët të kenë mundësi që t’i blejnë barnat bazuar në këtë ligj me çmime të lira, ashtu siç është fryma e këtij ligji”, tha ministri Vitia para anëtarëve të komisionit.
Sipas Vitisë, ky ligj pritet të rregullojë tregun farmaceutik në Republikën e Kosovës, duke mënjanuar shpenzimet e panevojshme dhe shpenzimet shtesë në kurriz të qytetarëve dhe institucioneve.
“Ky është një ligj që e përcakton çmimin tavan dhe e rregullon tregun farmaceutik në Republikën e Kosovës, për të mënjanuar shpenzimet e panevojshme dhe shpenzimet shtesë në kurriz të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës. Dhe çdo njeri i cili do të marrë informacione se dikush brenda komisionit e pengon këtë proces, natyrisht që unë do të marr masa, do ta largojë dhe do ta zëvendësoj me dike tjetër”, u shpreh ministri Vitia.
Ndryshe, më 13 korrik 2023 Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për çmimin e produkteve medicinale.
Ligji për çmimin e produkteve medicinale ka parashikuar metodologjinë e përcaktimi të çmimit të barnave, e cila bëhet nga komisioni i emëruar nga ministri, i përbërë nga 7 anëtarë.
Bazë e përcaktimit të çmimit është metodologjia e çmimeve referente të jashtme.
“Burimet e të dhënave në lidhje me çmimin me shumicë të produkteve medicinale janë publikimet e raporteve zyrtare më të reja të kohës, portali zyrtar në rrjet i institucioneve përgjegjëse zyrtare të këtyre shteteve referente: Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Kroaci dhe vendi i origjinës” – thuhet në nenin 8.2 të këtij Ligji.
Ligji parasheh 4 lloje të çmimeve: çmimi me shumicë, çmimi me shumicë për produkte gjenerike, çmimi me pakicë dhe çmimi me pakicë për produkte gjenerike./Arbresh.info/
Kuvendi i Shqipërisë sot në seancë plenare, diskutime për çë...
Irani kreu mbi 5000 sulme ndaj bazave amerikane në vendet ar...
Sekuestrohen 20 motoçikleta nё Pejё
“Pas Pavarësisë do të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë...
Skandali me njehsorët elektrikë, LDK sot mban konferencë për...
Qeveria miraton Projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pa...