Të dielën në Shkup u mbajtën protesta të mëdha të organizuara nga shoqëria civile dhe nga opozita, duke kërkuar dorëheqjen e Gruevskit, kryeministrit, sipas Vetëvendosjes, “tashmë të faktuar si antishqiptar”.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se është e domosdoshme që qeveria Gruevski të rrëzohet, por e pamjaftueshme.
“Opozita maqedonase, që pretendon të zëvendësojë Gruevskin, nuk ka dhënë shenja për ndryshime përmbajtësore sa i përket shqiptarëve. Zoran Zaev flet për barazi qytetare, pra barazi të individëve, por Maqedonia mund të jetë një shtet i mirë për të gjithë vetëm atëherë kur të sigurojë barazinë kombëtare për shqiptarët. Barazia ose është e plotë, ose nuk është”, thuhet në një reagim të Vetëvendosjes.
“Insistimi vetëm tek barazia qytetare nënkupton mirëmbajtje dhe riprodhim të diskriminimit që i bëhet shqiptarëve. Ata nuk diskriminohen pse janë individë apo qytetarë, por për shkak të faktit që i përkasin një kolektiviteti politik siç është kombi shqiptar i cili gjer më tash është konsideruar si problem për Maqedoninë. Tejsimbolizimi i qenies politike të kombit çon në keqpërdorim të flamujve dhe në përqeshje. Shqiptarët nuk kërkojnë barazi flamujsh”, thonë në këtë Lëvizje.
Nën regjimin e Gruevskit, subjekti politik Vetëvendosje thotë se shqiptarët u getoizuan, u zhvendosën prej territoreve ku kanë banuar gjithnjë, u kategorizuan në mënyrë fyese, u dhunuan dhe u keqgjykuan nga shteti.
Kjo, sipas tyre, ndodhi në bashkëpunim me BDI, pra me partnerët shqiptarë të qeverisë e cila duhet rrëzuar patjetër.
“Por, diçka më e rëndësishme se sa rrëzimi i qeverisë, është që të ndryshohet karakteri i vetë shtetit të Maqedonisë. Marrëveshja e Ohrit nuk mjafton!”, vlerësojnë zyrtarë të Vetëvendosjes.
“Më herët Zaev ka thënë se ka fakte që dëshmojnë se rasti Monstra ishte i montuar nga shteti, ai deri më tash nuk ka bërë publike asgjë për të. Është e mirë dhe e rëndësishme që kreu i LSDM-së po i zbardh rastet e korrupsionit të pushtetit, dhe përdaljet fashiste të eksponentëve të saj (ish kryepolicja Jankullovska). Por këto nuk janë asgjë nëse nuk zbardhen krimet e orkestruara nga shteti të cilat i janë mveshur dhe montuar shqiptarëve duke i gjykuar e dënuar në mënyrë drakonike ata. Pikërisht këto montime që përfshijnë ekzekutivin e gjyqësorin e shpërfaqin të vërtetën e shtetit të Maqedonisë, krahas të vërtetës së pushtetit aty. Ta dish të vërtetën dhe ta mbash atë të fshehur është të bëhesh bashkëfajtor në krim”, thuhet më tej në reagim.
Subjekti politik Vetëvendosje thekson se mënyra se si është e ndërtuar Maqedonia përherë për shqiptarët rrezikon që të prodhojë “Gruevskë” të rinj, prandaj, sipas tyre, shqiptarët duhet të bashkohen e të angazhohen për ta ndryshuar atë.
“Është e domosdoshme që në këto momente të dëgjohet zëri i të papërfaqësuarve shqiptarë, jashtë klientelave të kapura e të kontrolluara prej Gruevskit e Mijallkovit. Po ashtu, Shqipëria dhe Kosova duhet të njësojnë politikat diplomatike, ato të sigurisë e të mbrojtjes me synim ruajtjen dhe avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së shqiptarëve në Maqedoni. Ky njësim politikash duhet të iniciohet, të sanksionohet e të mbikëqyret prej dy Kuvendeve”, përfundon ky reagim i Vetëvendosjes.
Si ta parandaloni shfaqjen e njollave të bardha në rroba pas...
Parashikimi i motit – Mjegull në fundjavë dhe ditëve të para...
Bologna në finalen e Superkupës së Italisë, fiton dramën nda...
Shkretëtira e Arabisë Saudite zbardhet nga dëbora
Dy automjete përplasen në aksin Lezhë-Shkodër, lëndohen drej...
Festat festohen edhe në kampin e KFOR-it, momenti i ngrohtë ...