Mungesa e të dhënave për numrin e kosovarëve në mërgatë, shumë shpejt do të zgjidhet, falë regjistrimit të cilin e ka filluar Ministria e Diasporës.
Nën organizimin e Ministrisë së Diasporës, në qendër të Prishtinës dhe komunat tjera janë vendosur disa pika të regjistrimit, ku kosovarëve të cilët jetojnë në diasporë u ofrohet mundësia që më lehtë të evidentohen, përmes plotësimit të formularëve të përpiluar nga MeD-ja.
Udhëheqësi i Divizionit për Hartimin dhe Përditësimin e Regjistrit të Diasporës dhe Mërgatës në këtë Ministri, Ramadan Mramori, ka theksuar për Telegrafin se nuk mund të japë ndonjë të dhënë të saktë për numrin e bashkatdhetarëve që janë regjistruar deri me tani nëpër këto pika, për arsye se procesi i regjistrimit është duke vazhduar.
Sipas tij, MeD-ja të dhënat e para për numrin e mërgimtarëve do t’i shpalosë në fillim të vitit 2017.
“Pavarësisht se mund të ketë ndonjë problem të vogël, procesi i regjistrimit, i cili ka filluar me 23 qershor të këtij viti, është duke ecur sipas planit të cilin e kemi hartuar. Nuk mund të japim numra, sepse jemi ne fazën kur jemi duke grumbulluar të dhëna. Kur dalim me statistika, synojmë që ato të jenë sa më të sakta e që të dhënat do t’i publikojmë në formë tabelare, ku do të sqarohen shtrirja gjeografike e diasporës, niveli i arsimimit, profesioni”, ka theksuar Mramori.
Pikat e regjistrimit janë të vendosura në çdo komunë, nëpër pikat kufitare, bashkësitë lokale, Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë, si dhe në zyrat e MeD.
“Formulari mund të plotësohet edhe në mënyrë elektronike. Ata janë të thjeshtë dhe pyetjet janë të thjeshta e nuk kërkojnë kohë të gjatë për tu përgjigjur”, ka shtuar Mramori.
Në raportin të cilin e kishte publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2014, del se përqindja më e madhe e diasporës së Kosovës është në Gjermani (35.25 për qind). Ndërsa, Komuna e Suharekës ka përqindjen më të lartë të popullsisë që ka shkuar jashtë vendit në raport me popullsinë rezidente, e që i bie se çdo i dytë banor i kësaj komune ka dalë jashtë vendit.
Nga viti 1969 e deri në vitin 2011, numri i të emigruarve nga Kosova ishte 550 mijë. Sipas këtij raporti, lëvizjet më të mëdha të popullsisë, sidomos emigrimi ndërkombëtar, ka ndodhur në fund të viteve të tetëdhjeta, e me intensitet më të lartë në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Emigrimi më i madh jashtë vendit ka ndodhur gjatë viteve 1998-1999, pra gjatë luftës në Kosovë.
Voton Sveçla, u bën thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje
Dy të vdekur në Suedi, stuhia dimërore vdekjeprurëse godet v...
KEK në gatishmëri maksimale: Të gjitha kapacitetet në shërbi...
Presidentja Osmani me shpresë që rezultati i zgjedhjeve rezu...
U.D. i Ministrit të Drejtësisë, voton dhe fton qytetarët të ...
KQZ konfirmon për gjashtë komuna që kanë mungesë të energjis...