Vetëm gjatë vitit 2022 janë raportuar 20 raste të sulmeve kundër gazetarëve

20:50 | 17 Prill 2023
Emir Abduramani

20 raste për veprat penale kundër gazetarëve janë trajtuar nga Policia e Kosovës gjatë vitit 2022, prej tyre 12 raste me kanosje. Sipas raportit të policisë, për periudhën janar-prill të këtij viti, janë iniciuar dhe trajtuar dy raste.

Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë vitit të kaluar ka pranuar 12 raste ku janë dëmtuar gazetarët e medieve të ndryshme në vend. Prej tyre, Prokurori i Shtetit ka ngritur 7 aktakuza kundër të pandehurve dhe i ka deleguar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë, derisa 4 prej tyre janë në procedurë të hetimit.

Ndërsa, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi Ehat Miftaraj, thotë se kritikat ndaj gazetarëve nga disa përfaqësues të institucioneve po reflektojnë edhe te qytetarët.

“Kemi parë që së paku në dy vitet e fundit në Kosovë gazetarët janë sulmuar edhe nga vet disa këshilltar të ministrave dhe nga vet pushteti dhe kjo pastaj ka reflektuar edhe tek qytetarët, në bazë të monitorimit që instituti i Kosovës për drejtësi i bënë institucioneve të drejtësisë del që në ato raste gazetarët sulmohen, gjykatat shqiptojnë dënime qesharake që shumica janë dënime me gjobë ose dënime me kusht”, ka thënë Ehat Miftaraj , Drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemail Rexha, thotë se kohët e fundit ambienti i të bërit gazetari është vështirësuar dukshëm.

“Ne angazhohemi vazhdimisht që bashkë me partnerët tanë më institucionet gjyqësore të ato të policisë të bashkëpunojmë me qëllim që puna e gazetarëve të bëhet e papenguar nga faktorët e ndryshëm e sidomos për faktin se puna jonë ka ndikim të madh”, tha Xhemajl Rexha , Kryetar i Asociacionit të Gazetarëve në Kosovë.

Sulmi i fundit ka ndodhur dy ditë më parë kundër gazetarit të Radio Televizionit të Kosovës, Islam Haxhiu, i cili është sulmuar në Pejë, ku kishte shkuar për të marrë informacione lidhur me rastin tragjik të vrasjes së nënës nga i biri.