Vështirësohet qarkullimi në rrugën Mitrovicë – Jarinje

19:40 | 14 Mars 2016
M. A.

Kompania për mirëmbajtjen e rrugës Mitrovicë-Jarinje është duke punuar për lirimin e plotë të kësaj rruge, e cila si pasojë e vërshimeve dhe gërmimeve e paligjshme, është bllokuar nga rrëshqitja e gurëve. Deri tani mund të qarkullohet vetëm në njërën korsi, njofton Ministria e Infrastrukturës.

“Për shkak të gërmimeve të paligjshme dhe reshjeve të fundit të shiut, në Shupkovc të Mitrovicës është shkaktuar rrëshqitja e gurëve, që ka shkaktuar pengesa në zhvillimin normal të trafikut. Kompania për mirëmbajtjen e rrugës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe në bashkëpunim me policinë ka bllokuar aksin rrugor Mitrovicë-Jarinjë që nga ora 19:00 e natës së mbrëmshme deri sot në orën 09:00 të paradites. Pas intervenimit të kompanisë, njëra korsi është e lirë për komunikacion nga ora 09, ndërsa është duke u punuar për lirimin e plotë të rrugës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në njoftim thuhet se është kërkuar nga kompania, që pas lirimit të rrugës të vendosen shenjat për kufizimin e shpejtësisë, ngushtim të rrugës dhe për përparësi kalimi.

“Përveç masave të ndërmarra, parashihet që të vendosen muret mbrojtëse të betonit (nju xhersi) në një gjatësi prej 25 metrash”, thuhet tutje në njoftim

Shpërndaje në rrjete sociale