Veseli: Biden më konfirmoi mbështetjen, demarkacioni do të votohet më 1 shtator

21:58 | 18 Gusht 2016
M. A.
 Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka folur për herë të parë për mesazhin që atij i ka dhënë personalisht zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden.
 (I plotësuar 21:40)- Ai tha se numri dy i SHBA-së i ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme për Kosovën në të gjitha proceset.

“Mesazhi ishte i qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë gjithmonë me ju. Ky ishte mesazhi që më dha zëvendëspresidenti Biden kur e përshëndeta në shkallët e avionit. Ai më siguroi se mbështetja e SHBA-ve do të jetë e fuqishme”, tha Veseli në një intervistë në Klan Kosova.

Ai tha se tani të gjithë deputetët duhet të bëhen bashkë dhe të miratojnë demarkacionin dhe ti hapin rrugë perspektivës. Veseli u shpreh i bindur se demarkacioni do të miratohet më 1 shtator.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet sa më urgjentisht të votojnë në mënyrë unanime demarkacionin sepse është në të mirë të vendit. Deputetët duhet ta dinë qartë se miratimi i demarkacionit i hapë rrugë perspektivës së shtetit, ndërsa alternativa tjetër e qon Kosovën në rrugë të paditur. Prandaj të gjithë deputetët duhet të reflektojnë sepse mesazhet janë të qarta, Kosova ka mbështetjen e fuqishme nga Shtetet e Bashkuara, nga presidenti Obama, zëvendëspresidenti Biden dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë. Tani të gjithë ne duhet të marrim përgjegjësitë që na takojnë dhe ta miratojmë demarkacionin”, tha Veseli.

Veseli: Vizita e Biden ishte historike

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka vlerësuar historike vizitën e zëvendëspresidentit Amerikan Joe Biden në Kosovë, ndërsa u zotua se mesazhet e qarta dhe miqësore nga Shtetet e Bashkuara, shteti i Kosovës do ti marr dhe zbatojë në plotëni pasi janë në të mirë të vendit.

Gjatë një interviste në Klan Kosova, kryeparlamentari Veseli foli edhe për detajet se pse ishte personalisht ai që e priti dhe e përcolli zëvendëspresidentin Biden.

“Vizita e zëvendëspresidentit Biden është historike. Ai dha porosi të qarta për Kosovës. Duhet të jemi krenarë që shteti jonë, kaq i vogël ka një vëmendje kaq të madhe nga Shtetet e Bashkuara. Kisha nderin që të kem mundësinë ta përcjell zëvendëspresidentin Biden dhe të marrim vlersimet dhe mesazhet miqësore. Ne do të jemi në partneritet të përhershëm me SHBA-të dhe unë e ndi veten krenarë që vendi ime ka këtë miqësi”, tha Veseli.

I pyetur për privilegjin që i është dhënë atij për ta përcjellur zëvendëspresidentin Biden, kryeparlamentari tha se lidhjet dhe miqësia me zyrtarët Amerikanë është e ndërtuar në shumë vite, dhe sipas tij është modestia ajo që nuk e lejon të flasë shumë për miqësinë e krijuar, por u zotua se do të punojë për ta forcuar edhe më shumë, në të mirë të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale