Situata e krijuar nga reshjet e vazhdueshme të shiut dhe borës në Republikën e Kosovës paraqitet e menaxhueshme, por me vështirësi të theksuara në disa rajone, bëri të ditur Qendra Operative e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), në bazë të informatave të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe strukturat lokale të reagimit.
Sipas AME-së, vërshime të lokalizuara janë evidentuar në disa pjesë të vendit, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme 24/7, shkruan Arbresh.info.
“Aktualisht nuk kemi situatë jashtë kontrollit, por ka përshkallëzim lokal të vërshimeve që po shkaktojnë vështirësi për qytetarët dhe shërbimet reaguese,” thuhet në njoftimin e AME-së.
Prishtinë: Vërshime nga bllokimi i kanalizimeve
Në rajonin e Prishtinës, vërshime të lokalizuara janë raportuar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Obiliq, Drenas, Shtime dhe Graçanicë, kryesisht si pasojë e bllokimeve të kanalizimeve. Në disa raste, uji ka depërtuar në oborre, bodrume dhe shtëpi banimi, por pa pasur nevojë për evakuime.
“Ekipet komunale dhe emergjente janë në terren dhe po intervenojnë aty ku paraqitet nevoja,” thekson AME.
Prizren: Rrugë të përmbytura dhe rrëshqitje dheu
Rajoni i Prizrenit po përballet me disa rrugë dhe ura të vërshuara, si dhe me shembje dheu në komunat Suharekë, Malishevë, Rahovec dhe Dragash. Disa segmente rrugore janë përkohësisht të pakalueshme, ndërsa rrugët kryesore mbeten nën monitorim të vazhdueshëm.
Mitrovicë: Situatë e qetë, angazhim preventiv
Në rajonin e Mitrovicës situata vlerësohet e qetë dhe pa rrezik të drejtpërdrejtë. Megjithatë, ekipet janë angazhuar në largimin e ujit, veçanërisht në zonën e QKMF-së së Mitrovicës. Në terren ka qëndruar edhe udhëheqja e AME-së së bashku me autoritetet komunale.
Pejë, Gjakovë dhe Gjilan
Në Pejë janë kryer disa intervenime për zhbllokim të kanalizimeve, ndërsa rruga Pejë–Rugovë paraqet rrezik në disa segmente për shkak të ujit në rrugë.
Në Gjakovë, situata është stabile dhe niveli i lumenjve është në rënie, megjithëse është shënuar një bllokim rruge si pasojë e shembjes së dheut.
Ndërkaq, në rajonin e Gjilanit janë raportuar vërshime të lokalizuara, depërtime uji në bodrume dhe rrëshqitje dheu, si dhe ngritje e nivelit të lumenjve pa dalje nga shtrati.
Ndërhyrje dhe apel për qytetarët
AME njofton se kërkesat urgjente nga KEK dhe KOSTT për pompa thithëse me kapacitet të madh janë realizuar, ndërsa koordinimi me institucionet lokale dhe ato të infrastrukturës kritike po vazhdon pa ndërprerje.
“Agjencia e Menaxhimit Emergjent mbetet në gatishmëri të plotë 24 orë në ditë, në koordinim me të gjitha institucionet relevante, për të garantuar sigurinë e qytetarëve,” thuhet në njoftim.
Qytetarët ftohen që çdo rrezik apo situatë emergjente ta raportojnë menjëherë përmes numrave emergjentë 112, 193 dhe 192./Arbresh.info/
“Sllovakia favorit, por synojmë suksesin historik”, Vedat Mu...
Mashtrim përmes mesazhit në Prishtinë, qytetares i vidhen mi...
Sulmoi fizikisht zyrtarin policor, arrestohet i dyshuari në ...
Moti i keq në Shqipëri, Rama: Ekipet e angazhuara në terren
48 aksidente trafiku e mbi 1300 gjoba të shqiptuara gjatë nj...
Dy këmbësore goditen nga vetura në Prishtinë, arrestohet sho...