Vëllezërit që u vranë nga dhëndri – çka dihet deri tash nga krimi në Malishevë

22:39 | 6 Nëntor 2025
R J

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Gollubovc të Malishevës, ku dy vëllezër dyshohet se janë vrarë me armë zjarri nga dhëndri i familjes.

Viktimat janë identifikuar si Naim Morina, 45 vjeç, dhe Driton Morina, 32 vjeç.

Si ndodhi ngjarja?

Krimi ndodhi rreth orës 11:30 të paradites së sotme, kur i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë bashkëshorten e tij, pas të pameve për babanë e tyre të ndjerë.

Pas disa minutash, sipas burimeve të redaksisë dyshohet se ai është rikthyer dhe ka hapur zjarr, duke i lënë të vdekur dy vëllezërit, njëri në vendin e ngjarjes, derisa tjetri nuk arriti t’iu mbijetonte plagëve sa ishte rrugës për në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë.

Në momentin kritik, siç thanë burimet, gruaja e të dyshuarit (motra e viktimave) dhe vajza e tyre kanë qenë në veturë, duke parë gjithë ngjarjen.

Po ashtu, Klan Kosova ka mësuar se viktimat, dy vëllezërit Morina i kishin kërkuar motrës së tyre të ndahej nga bashkëshorti, në këtë rast nga i dyshuari Astrit Isufi.

Policia dhe Prokuroria i përvishen punës

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar për Arbresh.info se rasti është regjistruar si vrasje e dyfishtë.

“Lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, ka deklaruar Elezaj.

Sipas informacioneve, në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri, ndërsa policia ka kryer bastisje në një autosallon me emrin ‘Astriti’, në rrugën Komoran–Carralevë, që dyshohet se i përket të arratisurit.

Hetimet vazhdojnë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se të gjitha njësitë e nevojshme të policisë ndodhen në terren dhe po mblidhen provat e para në vendin e ngjarjes.

“Në koordinim me prokurorin kujdestar, policia po ndërmerr veprimet e duhura për sigurimin e provave dhe lokalizimin e të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht motivet e kësaj tragjedie familjare që ka lënë të tronditur banorët e Malishevës.