Google ADS

U mbajt manifestimi kombëtar “Festa e Abetares”

15:24 | 16 Maj 2023
K.B

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka organizuar manifestimin kombëtar “Festa e Abetares”, i cili këtë vit u mbajt në Palestrën Sportive “Shani Nushi” në Gjakovë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut, si dhe mësimdhënës, nxënës e prindër nga këto vende.

Në një fjalë rasti, zv.ministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna tha se kjo festë është një traditë e çmuar në arsimin e kulturën tonë.

“Është momenti kur fëmijët tanë marrin hapat e tyre të parë në botën e mrekullueshme të shkrimit e leximit, kur ata zbulojnë magjinë e fjalëve, të shprehurit dhe komunikimit. Kjo festë na jep mundësinë të kujtojmë rëndësinë e arsimit dhe rolit që secili nga ne kemi si mbështetës të palëkundur të arsimimit e zhvillimit të fëmijëve tanë”, theksoi ajo.

Zv.ministrja uroi fëmijët për të cilët tha se janë shpresat e nesërme dhe thesaret tona më të çmuara, ndërsa falënderoi mësimdhënësit, të cilët përmes punës së palodhshme, i ndihmojnë fëmijët të maksimizojnë potencialin e tyre dhe i përgatisin për sfidat e ardhshme që i presin.

Ajo ftoi prindërit që të jenë partnerë aktivë në rrugëtimin arsimor të fëmijëve, duke i inkurajuar ata të lexojnë, shkruajnë dhe zbulojnë bukurinë e botës së librave e të dijes.

“Tani që e kemi edhe Abetaren e Përbashkët, si bashkëpunim ndërmjet ministrive të arsimit në Kosovë e Shqipëri, rrugëtimi i të gjithë fëmijëve dhe i neve të tjerëve që i mbështesim në këtë drejtim ta ka një emërues të përbashkët, atë të përbashkimit, arsimit cilësor dhe të zhvillimit të qytetarëve që janë kontribues të vlefshëm të shoqërisë e të vendit”, tha zv.ministrja Maloku-Bërdyna.

Në këtë ngjarje tradicionale, e cila shënon përmbylljen e mësimit të shkronjave, u mbajt edhe një program festiv i fëmijëve të klasave të para./Arbresh.info/




Shpërndaje në rrjete sociale