U kapën duke luajtur bixhoz në Isniq, 10 persona përballen me akuza

14:41 | 10 Dhjetor 2025
R J

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave me inicialet, A.O, G.N, A.Sh , H.R, M.K, P.A, E.B, A.J, R.B, F.H për skema piramidale e bixhoz të paligjshëm si dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës 26 faqëshe, prokurori i shtetit ka përshkruar veprimet inkriminuese  për veprat penale të njëmbëdhjetë të pandehurve që ju vihen në barrë.

“Nga veprimet hetimore të cilat janë kryer në afatin optimal nga prokurori i çështjes, ka rezultuar se i pandehuri A.O, me datë 17 gusht të vitit 2025 rreth orës 02:00, në lokalin e tij “Te Katamt” në fshatin Isniq të komunës se Deçanit, me dashje e me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, në lokalin e tij të lartcekur, organizon veprimtari të skemave piramidale të bixhozit të paligjshëm, të llojit të lojërave të fatit”.

“Prokurori i shtetit ka akuzuar edhe nëntë të pandehur tjerë të cilët natën kritike, në lokalin e lartë cekur, me dashje e në bashkëkryerje, me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, marrin pjesë në organizimin e veprimtarisë së bixhozit të paligjshëm, të njëjtit hasin të pandehurit e sipërshënuar duke luajtur bixhoz  në një dhomë të veçantë brenda lokalit e dedikuar për lojëra bixhozi, ku disa nga ta tentojnë të ikin nga një derë alternative e cila ndodhej brenda asaj dhome, mirëpo të njëjtit arrestohen, ndërsa në tavolinën në të cilën po luanin policia  hasin letra të bixhozit si dhe shuma te të konsiderueshme te të hollave, tek secili  i pandehur në shumën totale prej 17.578 euro,  të cilat sekuestrohen nga ana e Policisë e Kosovës me autorizimin e prokurorit  të shtetit”.

Sipas Prokurorisë së Pejës, i pandehuri F.M akuzohet se natën kritike ka poseduar armë për çka ngarkohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”