Trepça nënshkruan kontratë mbi 25 mijë euro për furnizim me binarë në Stan Tërg

23:17 | 28 Mars 2026
R J

Kompania Trepça SH.A. ka finalizuar një kontratë për furnizimin me binarë për nevojat e minierës në Stan Tërg, në kuadër të aktivitetit të saj të prokurimit publik.

Sipas njoftimit zyrtar për nënshkrimin e kontratës, marrëveshja është lidhur me operatorin ekonomik N.P.T. “a – com”.

Vlera totale e kontratës arrin në 25,473.84 euro, që rezulton të jetë oferta më e ulët nga ato të përgjegjshme në këtë proces.

Aktiviteti i prokurimit kishte nisur më 24 tetor 2025, ndërsa tenderët janë hapur më 18 nëntor të po atij viti.

Nga 16 operatorë që kanë tërhequr dosjen e tenderit, vetëm 6 kanë dorëzuar oferta, dhe prej tyre vetëm 2 janë konsideruar të përgjegjshëm.

Fillimisht, vlera e parashikuar e kontratës ishte 31,500 euro, ndërsa kontrata përfundimtare u nënshkrua për rreth 6 mijë euro më pak.

Kontrata ka të bëjë me furnizim me binarë për minierën dhe horizontin 610 në Stan Tërg dhe parashihet të zgjasë 60 ditë.

Projekti financohet nga vet kompania, pa përfshirje të buxhetit të shtetit apo donacioneve.

Procedura e përdorur ka qenë e hapur, ndërsa kriteri për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.