Google ADS

Tre shokët që i mbijetuan Masakrës së Dubravës, rikthehen 24 vjet më vonë për të rrëfyer tmerrin që kishin përjetuar

13:03 | 21 Maj 2023
A Z

Tmerri që e përjetuan para 24 viteve i ka bërë bashkë.

Si të mbijetuar të Masakrës së Dubravës, Idriz Asllani, Hasan Zeneli dhe Selim Lokaj ende i kanë të freskëta ato momente tmerri që kanë përjetuar 24 vjet më parë, pikërisht këtu në burgun e Dubravës.

Ata po kujtojnë kohët e vështira që kanë kaluar dhe sfidat që u përballën për të dal të gjallë  nga ky burg atë ditë tragjike për ta dhe gjithë të burgosurit shqiptarë që po mbaheshin këtu nga forcat serbe.

Njëri bashkëluftëtar i Adem Jasharit, njëri i Zahir Pajazitit dhe tjetri i Sali Çekajt, edhe para se të arrestoheshin në fillim të vitit 1999, kanë qenë të angazhuar vazhdimisht për lirinë e vendit dhe luftën kundër okupatorit serb.

Selim Lokaj nga Deçani rrëfen për “Arbresh.info fillimin e aktiviteteve të tij në celulat e para të UÇK-së në këtë komunë, duke thënë se ishte “zëri” i popullit ai që e shtyu atë të angazhohet për çlirimin e vendit.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 960 të burgosur në atë kohë, u rreshtuan më 22 maj nga gardianët serbë në oborrin e burgut, në vendin e njohur si fusha e futbollit dhe ashtu siç ishin të pambrojtur u sulmuan me bomba, raketa, armë, snajperë, e me çka jo tjetër.

Për pak minuta, aty vdiqën 117 të burgosur dhe u plagosën mbi 200 të tjerë.

Idriz Asllani rrëfen se në momentin kur u detyruan të bëhen rresht, ai e parandjeu se diçka e tillë do të ndodhte, andaj edhe u largua paksa nga rreshti.

Teksa të burgosurit politikë shqiptarë po sulmoheshin nga katër anët me të gjitha llojet e kalibrave të armëve, kishte të tillë që në mes të plumbave, të gjenin mundësi për kërkimin e ndihmës nga NATO, e cila pak ditë para masakrës, veçse kishte filluar bombardimet ndaj forcave policore serbe në Dubravë.

Hasan Zeneli me disa të burgosur tjerë, në ato momente kishin arritur t’i vjedhin disa kapakë të dritave të neonit në brendi të burgut dhe me to i kishin kërkuar ndihmë NATO-s, duke shkruajtur në bari në gjuhën angleze fjalën “Help”, që në shqip do të thotë “ndihmë”.

Ai për Arbresh.info rrëfen një pjesë të atij momenti të paharruar për të.

Pas sulmit të tmerrshëm mbi të burgosurit, këta tre dëshmitarë rrëfejnë se e gjithë fusha e futbollit në burgun e Dubravës në ato ditë ka qenë e mbushur me kufoma.

Selim Lokaj tregon një nga momentet më prekëse për të, kur fjala e fundit e një nga të burgosurit që ishte në prag të vdekjes kishte qenë që shokët e tij të mos e qanin, pasi vdekja e tij ishte “flijim” për lirinë e Kosovës.

Ai, gjithashtu rrëfen për një moment interesant, kur teksa ishte i vetëm në pritë për ushtarët serbë në bjeshkët e Deçanit, aksidentalisht ka qenë afër që të gjuajë në drejtim të shokut të tij, Hasan Zenelit, Zahir Pajazitit dhe Edmond Hoxhës.

I mbijetuari Idriz Asllani thotë se kur ishin në burg, me shokët e tij të qelisë kishin ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe nuk janë mërzitur fare, meqenëse ideali i përbashkët i të gjithëve ishte liria dhe asgjë tjetër.

Shumica e gjurmëve dhe dëmeve që janë bërë në atë ditë, tanimë nuk janë, përveç një shtylle elektrike e cila shihet ende e shpuar nga plumbi.

Për këtë, Hasan Zeneli ka një kërkesë për institucionet e vendit.

Masakra brenda burgut të Dubravës ka qenë një ndër ngjarjet më të tmerrshme dhe të hidhura që ka ndodhur në luftën e fundit në Kosovë, ku forcat serbe shuan 117 jetë shqiptarësh të pambrojtur.

Të plagosurit në masakër u morën me kamionë, ndërsa të burgosurit e mbetur u transportuan në burgun e Lipjanit, ku u rrahën dhe u maltretuan në mënyra çnjerëzore. Më 10 qershor 1999, ata u transferuan dhe u mbajtën në burgjet në Serbi me të mbaruar lufta.

Lidhur me këtë, ekziston një kallëzim penal me të gjithë emrat serbë të kryerësve të krimit, por, ende asgjë nuk është bërë në këtë drejtim./Arbresh.info/Emir Abduramani/

Të ngjashme