Thaçi në Hagë: Millosheviqi nisi luftën, aleanca ndërkombëtare solli fitoren

14:21 | 18 Shkurt 2026
E.K

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vijuar deklaratën e tij përmbyllëse në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke theksuar se kthimi i tij nga Zvicra, ku po studionte, nuk kishte lidhje me pushtetin, por me synimin për liri dhe paqe.

“Unë nuk u ktheva për pushtet në Kosovë, por u ktheva për liri dhe paqe. Pushteti dhe kontrolli ishin në duart e Millosheviqit dhe shqiptarët nuk ushtronin pushtet”, deklaroi Thaçi.

Ai theksoi se mbijetesa, liria dhe paqja ishin qëllimet e tij kryesore, ndërsa shpresa e shqiptarëve, sipas tij, ishte bota demokratike dhe NATO. Thaçi tha se kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm me aleancën dhe se fokusi i tij ishte ndërtimi i kësaj lidhjeje ndërkombëtare.

Sipas tij, lufta në Kosovë u nis nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, dhe pa ndërhyrjen e NATO-s vendi nuk do të kishte arritur lirinë. Ai kujtoi edhe një bisedë me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila, sipas Thaçit, kishte thënë se sjellja e Millosheviqit ndaj Kosovës ishte “rekrutuesi më i madh i UÇK-së”.

Thaçi deklaroi se fitorja e Kosovës ishte diplomatike dhe erdhi falë mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, e dinin qëllimin dhe aspiratat e popullit të Kosovës.

Të ngjashme