Thaçi: Beau Biden do të mbetet deri në përjetësi simbol i vlerave tona

15:00 | 17 Gusht 2016
M. A.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka marr pjesë në përurimin e rrugës së emëruar me emrin e djalit të ndjerë të zv/presidentit amerikan, Joe Biden.

Thaçi ka thënë se i ndjeri ka bërë shumë për Kosovën dhe ka punuar që Kosova mos të jetë vetëm një shoqëri e lirë, por me të drejta të barabarta.

“Joseph Beau Biden njihet nga mbarë bota. Ne kemi luftuar që secili të jetë i lirë, dhe intervenimi humanitar i SHBA-ve na ka ndihmuar, prandaj partneriteti na ka bërë më strategjik dhe na ka ndihmuar në rrugën euroatlantike. Joe Biden ka qenë përkrah nesh, e djali i tij Beau do të mbetet deri në përjetësi simbol i vlerave tona të përbashkëta”, tha Thaçi.

Sipas tij, Beau para se të vdiste ka thënë se nuk është mirë të fokusohesh te caku, pa i shikuar mjetet që përdor për të arritur aty.

“Nëse i mbështetim LGBT nuk na bën më të dobët, por më të fuqishëm dhe më të lartë, nëse me Malin e Zi formojmë kufirin mes nesh, na bën fitues të përbashkët të një të ardhme të përbashkët në NATO, nëse me Serbinë bëjmë pajtim dhe paqe, të gjithë do të jemi fitues”, tha tutje Thaçi.

Ai informoi se Kosova është storie e suksesit dhe fenomenale, duke shtuar se Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse SHBA-vë.

Shpërndaje në rrjete sociale