Google ADS

Testim për mësimdhënësit| Njohësit e arsimit kërkojnë testim, SBASHK-u :S’do të ketë kurrë, është nënçmim

09:01 | 25 Mars 2023
A. B.

Testim me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve Kosovë nuk ka pas dhe nuk do të ketë kurrë. Kështu thotë për “Arbresh.info” kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj.

Ai thotë se këtë qëndrim SBASHK-u e ka tash e sa vite.

“Ky është qëndrimi që e ka me vite SBASHK-u, është përmendur edhe në të kaluarën por edhe në Ministrinë e tashme, testi me shkrim i njohurive të mësimdhënësve të por qëndrimi i jonë mbetet i njëjtë”, thotë ai.

Tutje, Jasharaj  pohon se këtë gjë e kanë kundërshtuar edhe në Qeveritë e kaluara, pasi testimin për mësimdhënësit e konsiderojnë nënçmim.

“Ne këtë e kemi kundërshtuar edhe në Qeveritë e kaluara, e njësoj është edhe tash, sepse një testim njohurie të mësimdhënësve e konsiderojmë se është nënçmim, dhe është nënçmim edhe i punës dhe angazhimit dhe gjithë arsimimit që e kanë bërë mësimdhënësit e Kosovës”, deklaron Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut, mendon se duhet të shtohet numri i inspektorëve profesional, që të shkojnë në shkolla dhe ta shohin punën që e bëjnë mësimdhënësit nga afër.

“Ne kemi insistuar vazhdimisht në takimet me MASHT-in, që kjo nuk do të bëhet kurrë, por kemi kërkuar që të shtohet divizioni i inspektorëve profesional të cilët do të shkojnë në shkolla, dhe të shohin punën nga afër të mësimdhënësve, për ta parë nga afër punën që ata e bëjnë me nxënësit dhe si zhvillohet një orë mësimore”, shprehet  kreu i SBASHK-ut.

Sipas tij, inspektorati duhet të shikojnë nga afër punën e mësimdhënëseve, në mënyrë që dobësitë që mund t’i kenë të evidentohen.

“Jo test me shkrim por le të shkojnë inspektorët profesional që të shohin nga afër punën që e bëjnë mësimdhënësit nga afër në mënyrë që dobësitë eventuale që ata mund t’i kenë bashkërisht të tejkalohen duke biseduar në mënyrë që të kemi mësimdhënës më të mirë nesër se sa i kemi sot sepse ata janë të përkushtuar dhe kane nevojë që të këshillohen që të jenë edhe më të mirë në procesin mësimor”, thotë Jasharaj.

Ai thekson se për këtë duhet të reagonte edhe Fakulteti i Edukimit, sepse nëse kërkohet kjo, atëherë vihet në pikëpyetje puna e profesorëve në fakultet.

“Kur përmendet kjo çështje ishte dashur të reagojë edhe Fakulteti i Edukimit ngase ai përgatit kuadro dhe i teston në provime dhe tema të ndryshme. Dhe vetë fakti që nëse dikush kërkon test me shkrim të njohurive mësimdhënësve e vë në pikëpyetje edhe punën që e kanë bërë profesorët në fakultet”, përfundoi ai.

Qehaja: Vlerësimi i mësimdhënësve duhet të jetë prioritet institucional

Ndryshe nga Jasharaj mendon Rinor Qahaja nga Instituti “Edguard”.

Ai thotë se vlerësimi i performancës së mësimdhënësve duhet të jetë prioritet institucional.

“Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve duhet të jetë prioritet institucional. Rishikimi i legjislacionit që rregullon vlerësimin është i domosdoshëm”, shprehet ai për Arbresh.info

Ai thotë se mungesa e mbikëqyrjes në klasë pa dyshim që sjell mosperformancë, dhe sipas tij, duhet vlerësimi i vazhdueshëm ndaj mësimdhënësve.

“Nuk mund të vlerësojmë mësimdhënës një herë në pesë vite. Mungesa e mbikëqyrjes në klasë pa dyshim që do të sjell mos performancës. Duhet të instalojmë mekanizma të mirëfilltë të një vlerësimi të vazhdueshëm të performancës të çdo mësimdhënës. Mësimdhënia cilësore nuk duhet të jetë rastësi e vullnetit të mirë të mësimdhënësve të përkushtuar, por standard i garantuar për çdo nxënës”, thotë ai.

Potera: Vlerësimi nënkupton cilësinë e mësimdhënies

Se duhet të bëhet një vlerësim i mësimdhënësve mendon edhe eksperti i Arsimit, Ismet Potera.

Ai thotë se duhet të bëhet ky vlerësim.

“Derisa nuk ka ndonjë vlerësim tjetër të besueshëm, si p.sh nga drejtori, dikush duhet ta bëjë”, tha ai për Arbresh.info

Për të vlerësimi nënkupton cilësinë e mësimdhënies dhe aspektet e tjera lidhur me të.

“Vlerësimi, për mua, nënkupton cilësinë e mësimdhënies dhe aspekt të tjera lidhur me të, jo vlerësim i njohurive a testim siç e pati proklamuar dikush”, u shpreh Potera.

Arbresh.info ka drejtuar pyetjet edhe tek Ministria e Arsimit, se çfarë është duke u punuar rreth kësaj çështje, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, procesi e vlerësimit të mësimdhënësve ka filluar në vitin 2018, por kur do të nis ky vlerësim ende për këtë nuk ka një datë. /Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Shpërndaje në rrjete sociale