RTK’ja të hënën ka qenë cak i sulmit me mjet shpërthyes, i cili është i treti në vend vetëm gjatë muajit gusht. Kuvendi më 4 të këtij muaji ishte sulmuar me zollë, pak ditë më pas në shtëpinë e Murat Mehës u gjet e vendosur një granatë dore, e mbrëmë një e tillë shpërtheu tek transmetuesi i valëve të RTK’së.
Kishte kaluar ora 23:00 e 4 gushtit kur në Prishtinë u dëgjua një shpërthim i fuqishëm që alarmoi gjithë kryeqytetin kosovar. Një zollë krahu ishte gjuajtur në drejtim të objektit të Kuvendit të Kosovës, fatmirësisht duke përfunduar vetëm në murin e këtij objekti, dhe duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Dy persona të dyshuar ishin vënë në ndjekje nga Policia, qysh atë natë. U tha se kishin vepruar me një motor që pak minuta pas sulmit u gjet nga autoritetet i djegur në një rrugicë në Tokbashqe të Prishtinës.
Tri javë pas Policia nuk ka arritur të identifikoje e as të kapë sulmuesit. Për më tepër, një sulm i ngjashëm u krye të hënën, pothuajse në të njëjtën periudhë kohore, e po ashtu sërish cak ishte një institucion publik.
Radio Televizioni i Kosovës kishte qenë shënjestra e radhës ku u hodhe një granatë dore, që përveçse shkaktoi frikë dhe panikë tek punëtoret që ndodheshin në objekt, nuk pati ndonjë pasojë tjetër të madhe.
Të dy sulmet, si ai në Kuvend edhe i 23 gushtit në RTK, një ditë pasi ndodhen, u nënshkruan nga një grup anonim që veten e quajnë ‘Rugovasit’ e që kërcënojnë se veprime të tilla do të ketë derisa në fuqi të jetë marrëveshja e Kosovës me Malin e Zi për Demarkacion.
Në Policinë e Kosovës tregojnë se të dyja rastet janë duke u trajtuar me seriozitet, porse deri me tash rezultatet nuk kanë çuar në identifikimin e ndonjë kryesi të mundshëm të këtyre sulmeve.
“Rastet në fjalë janë në fazë të hetimeve intensive”, i tha Gazetës Express, të martën, zëdhënësi i PK’së, Baki Kelani.
I njëjti nuk konfirmoi ndërlidhje të këtyre rasteve dhe as autorësinë e këtyre sulmeve që e vetë deklaruan grupi anonim i ‘Rugovasëve’.
“I posedojmë edhe ato informacione dhe janë duke u trajtuar në aspekt policorë”, tha Kelani.
“Policia është duke punuar në analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante, duke përfshirë kamerat e sigurisë, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtyre rasteve dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të kryerësit/ve të këtyre rasteve” ka shtuar ai.
Pothuajse në heshtje ndaj këtyre rasteve kanë qëndruar vazhdimisht në Prokurorinë e Shtetit, që vazhdimisht me automatizëm deklarohen se “janë marrë të gjitha veprimet e parapara hetimore dhe rasti është duke u ndjekur”, pa shfaqur rezultate konkrete.
Por, të dy këto sulme nuk kanë qenë të vetmen që kanë terrorizuar kryeqytetin në muajin e fundit. Vendosja e një granate dore ka mundur të jetë fatale për familjen e Kryetarit të Komisionit Shtetëror për Mbikëqyrjen e Vijave Kufitare, Murat Meha, sikur të mos vërehej me kohë dhe të kërkohej ndërhyrja e Policisë.
Granata ishte vendosur në terasen e shtëpisë së Mehës, në Lagjen Dardania të Prishtinës, në pikë të ditës së 9 Gushtit. Njësitet e deminimit të Policisë së Kosovës e kishin kthyer situatën në kontroll, pak orë pasi ishin thirrur nga familja e Mehes, duke kryer një shpërthim të kontrolluar.
Këto s’kanë qenë sulmet e vetme gjatë muajve të fundit. Kosova po hy në vitin e parë që kur siguria ndaj institucioneve shtetërore është lëkundur duke qenë disa herë cak i sulmeve të ndryshme.
Ndërtesa e Qeverisë ishte djegur me koktej molotovi gjatë një proteste të opozitës nga disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët bashkë me AAK’në e NISMA’n po kundërshtonin nënshkrimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkrua mes palës kosovare dhe asaj malazeze për Demarkacion dhe atë me palën serbe për themelimin e një Asosacioni të Komunave.
Në të tilla organizime, disa herë janë thyer edhe xhamat e të njëjti objekt, por një gjë e tillë ka ndodhur edhe me objektin e Kuvendit. Për më tepër, me gurë për orë të tëra nga aktivistë të VV’së ishte gjuajtur edhe stacioni qendrorë i Policisë së Kosovës, gjatë një rasti kur brenda këtij stacioni intervistohej Albin Kurti që s’ndalej duke hedhur gaz lotsjellës në Kuvend.
Në një tjetër rast, Dardan Molliqaj i të njëjtës lëvizje ishte kapur nga kamerat duke demoluar një veturë zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, derisa aktivistët tjerë gjatë protestës dogjën disa vetura të institucioneve të ndryshme të Kosovës. Fatin e djegës dhe thyerjes së xhamave të veturave zyrtare e patën edhe disa zyrtarë tjerë të institucioneve kosovare – përfshirë edhe njerëz të Prokurorisë e Gjyqësorit, që kur zgjoheshin në mëngjes i gjenin ato në flakë apo të demoluara krejtësisht.
Askush nga asnjëri prej këtyre rasteve nuk u vë ende para drejtësisë, duke mbetur tash e sa kohë nën hetime, edhe pse dëshmi për një pjesë të tyre janë edhe kamerat e sigurisë që i shfaqin kryesit e akteve vandale. Për këto raste pati disa arrestime, por që të dyshuarit si kryes të tyre liroheshin në procedura të rregullta pas një muaji paraburgim.
Madje, as Prokuroria deri me tash s’ka bërë të ditur se ka deponuar ndonjë aktakuzë.
I vetmi që u përball me organet e drejtësisë për sulme të tilla ishte i riu Trim Gashi nga Prishtina që u akuzua për tu shpallur më pas i pafajshëm në mungesë provash për një sulm ndaj eskortës së Kryeministrit Isa Mustafa, fundvitin e 2015’ës.
Mustafa cak i sulmeve ishte edhe në ditën kur u zgjodh Presidenti i ri i vendit. Me 26 shkurt, derisa deputetët votonin për Hashim Thaçin, shtëpia e tij ishte provuar të digjej nga disa aktivistë të ‘Lëvizjes Vetëvendosje’ duke u hedhur koktej molotovi në drejtim të saj. /GazetaExpress/.
Mblidhet Kuvendi i Prishtinës për miratimin e buxhetit për v...
Moti i vranët, me reshje të dobëta shiu
Tragjedi në Itali, orteku vret dy turistë në Bolzano
Trump: Irani nuk do që SHBA-ja ta godasë
KF Ulpiana zgjedh kryetarin e ri – Fitim Dragaqina merr drej...
Trump: Kam parandaluar nisjen e tre luftërave bërthamore