Terr informativ në seancën për ‘Stentat’

08:19 | 1 Dhjetor 2016
M. A.

Gjykata Themelore e Prishtinës, edhe pse e kishte proklamuar si seancë të hapur procesin gjyqësor në rastin “Stenta”, ajo sot i kishte nxjerrë mediet jashtë gjykatores.

Ende pa filluar seanca gjyqësore gjyqtarja e rastit, Shadije Gërguri, kishte marrë vendim që mediet të mos jenë pjesë e këtij shqyrtimi gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferhid Agani, dhe të tjerëve me arsyetimin së “nuk ka vend” në sallën e gjykimit për shkak të numrit të madh të të akuzuarve në këtë çështje penale, shkruan sot Gazeta Zëri.

Ndërkaq, rasti i mbylljes së këtij shqyrtimi gjyqësor nga gjyqtarët vendorë është i dyti me radhë pas atij të ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekajt, gjykim i cili sipas urdhrit të gjyqtarit të rastit, Shasivar Hoti, po mbahet më dyer të mbyllura dhe larg prezencës së medieve.

Derisa po bëheshin përgatitjet për të hyrë në sallën e gjykimit gazetarët, të cilët kishin shkuar për ta përcjellë rastin “Stenta”, nuk janë lënë që të futen brenda në sallën e gjykimit, siç ndodh zakonisht në proceset gjyqësore.

“Lëshimin” e vetëm që e kishte bërë gjyqtarja Gërguri ka qenë koha për të marrë pamje apo për të fotografuar në këtë seancë dhe më pas mediet janë detyruar të largohen nga ky gjykim, duke bërë që shqyrtimi fillestar i këtij rasti të mbahet me dyer të mbyllura.

Ndonëse rasti “Stenta” dhe ai i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit janë dy rastet më të mëdha gjyqësore, të cilat janë duke u gjykuar nga gjyqtarët vendorë që nga paslufta, që të dyja këto raste në fillim të shqyrtimit gjyqësor janë mbyllur për publikun.

Zëri ka kërkuar shpjegim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në lidhje me mbylljen e seancës gjyqësore për rastin “Stenta” dhe rastin ndaj Sali Mekajt. Mirëpo, sipas KGJK-së ata nuk mund t’i komentojnë vendimet e Gjykatës dhe se këto çështje janë në vullnet të plotë të gjyqtarit të procedurës penale.

“Lidhur me pyetjet tuaja ju informojmë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk mund dhe nuk ka kurrfarë të drejte ligjore për t’i interpretuar apo komentuar vendimet e Gjykatës të cilat i merr gjatë procedurës penale, për shkak se kjo do të konsiderohej si ndërhyrje e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në punën e Gjykatës, përkatësisht në vendimmarrje. Këto çështje janë diskrecion i gjyqtarit, përkatësisht trupit gjykues për të vendosur”, ka bërë të ditur Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale