Të prekurit me sindromin Down do të kenë mundësi të reja për punësim

15:39 | 29 Maj 2015
M. A.

Personat e prekur me sindromën Down, do të kenë një mundësi të re punësimi. Përmes një projekti që ka nisur në shoqatën “Down Syndrome Kosova”, ku do të bëhet paketimi i mjaltës dhe futja e këtij produkti në tregun kosovarë parashihen të krijohen edhe 40 vende pune.

Projekti i cili është emëruar “AMË” është financuar nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe i cili do të implementohet nga shoqata “Down Syndrome Kosova” ka për qëllim ngritjen e aftësive për punë për personat e prekur me këtë sindrom.

Drejtoresha e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Beqiri tregoi se kanë punuar shumë për programet për trajnim dhe riaftësim të personave të prekur me Down Sindrom dhe të personave me dëmtime intelektuale.

Ajo po ashtu u shpreh e lumtur për punën që po e bëjnë në paketimin e mjaltës dhe futjes së saj në tregun kosovar, sepse sipas saj këta persona me pak ndihmë mund të ja dalin të punojnë.

“Që qëndrueshmëria të jetë sa më e gjatë e këtyre programeve ne kërkojmë pë rkrahje institucionale, ne si shoqatë jemi në proces për ndërtimin e qendrës për personat me Down Sindrom dhe Autizëm dhe shpresojmë se me ndërtimin e kësaj qendre këto programe do të kenë hapësira më të mëdha”, tha Beqiri.

Për personat me sindromën Down u premtua përkrahje edhe nga ana institucionale. E pranishme në këtë event ishte zëvendës ministrja e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, e cila tha se secili grant i cili jepet për këtë shoqatë beson që është një investim pozitiv dhe serioz ndaj qasjes së këtij institucioni.

Shpërndaje në rrjete sociale