Tatimpaguesit: Trajnimet nga ATK për pakon e re fiskale janë të vonuara

17:47 | 17 Shtator 2015
M. A.

Administrata Tatimore e Kosovës(ATK) mbajti sot seminarin e radhës në Prishtinë me tatimpaguesit për pakon e re fiskale me qëllim që të jetë më afër tyre për t’i përmbushur detyrimet tatimore në mënyrë vullnetare. Disa prej tatim paguesve u deklaruan se këto trajnime të cilat po mbahen nga ATK-ja janë të vonuara, ngase, sipas tyre, është dashur të mbahen para se ligji i ri fiskal të hyjë në fuqi.

Menaxheri i Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve në ATK, Sami Salihu, për KosovaPress deklaroi se janë duke i bërë sqarimet për Pakon e re fiskale me tatimpaguesit, në mënyrë qëdeklaratat tatimore të jenë korrekte.

 

“Të gjitha sqarimet ne jemi duke u munduar t’i bëjmë me kohë me qëllim që edhe nëse kanë bërë ndonjë gabim deri më tani kanë të drejtë ti bëjnë korrigjimet e tyre me kusht që kur të bëjnë deklaratën tatimore të jenë korrekt me ligjin”, tha Salihu.

Ai theksoi se bizneset duhet ta zbatojnë Ligjin e ri fiskal pasi, sipas tij, ai është në favor të tyre.

Tatimpaguesi Vehbi Pireva në deklaratë për KosovaPress shprehu pakënaqësinë për vonesat e këtyre trajnimeve me tatimpaguesit.

Sipas tij, ata është dashur të njoftohen me ligjin e ri para se ky ligj të hyjë në fuqi.

 

“Trajnimet janë të mirëseardhura, edhe pse fatkeqësisht ky trajnim po mbahet pas 17 ditëve qe kur ka filluar me u zbatuar ligji i ri për TVSH. Seminari ishte dashur paraprakisht me u mbajt. Çdo ligj duhet të gjejë zbatimin e vet në tërësi, sepse shkelja e ligjit është vepër penale”, deklaroi Pireva.

Ai theksoi se është kohë e shkurtër për të vlerësuar se sa po zbatohet ky ligj, për faktin se vetëm sa ka hyrë në fuqi pakoja e re fiskale.

Pritjet e komunitetit për këtë ligj kanë qenë më të mëdha sesa që janë bërë me këto ndryshime. Shumica e ndryshimeve, sipas tyre, janë kozmetike.

Kontabilisti i cili mori pjesë në seminar Isuf Dumani, deklaroi se ka disa risi në këtë pako. Njëra prej këtyre është tatimi i mbajtur në burim për personat jo afarist, i cili vlerësohet të jetë adekuat.

 

“Unë i kam ndjek propozim ndryshimet e ligjit i cili ka filluar të aplikohet. Ka risi mjaft të mëdha në këtë pako, njëra prej këtyre është tatimi i mbajtur në burim për personat joafaristë, që është e mirëseardhur”, theksoi Dumani.

Kontabilisti vlerësoi se në parim ligji i ri fiskal ka ndryshime, por çka është interesant për të, janë disa ridefinime dhe disa sqarime që janë më të mira sesa në ligjin e kaluar.

Shpërndaje në rrjete sociale