Ismail Tasholli nga platforma “Liria ka Emër” ka folur për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale ndaj Pjetër Shalës.
“Është brenda përçudnimit fillestar në kuptimin e anshmërisë si pozicion i asaj çka po ndodhë atje. Sepse kur kemi parasysh të gjitha ankesat që janë bërë nga mbrojtja dhe të gjitha ato që nuk janë marr parasysh, sidomos kur kihet parasysh arkitektura juridike atje, ku Ombudspersoni nuk është avokati që e mbron të drejtën në princip, të drejtën humane minimalisht, është i pritshëm edhe ky vendim. Është brenda çoroditjes juridike, brenda një fenomeni ‘sui generis” që ka më shumë siklete politike se juridike”, tha ai në RTK.
Ndërkohë, Tasholli foli edhe për konferencën e sotme, që tha se renditën 30 shkelje nga Gjykata Speciale, që sipas tij, erdhi si pasojë e shantazhit që më herët quhej presion.
“Në vazhdën e këtyre përpjekjeve tona të ekspozimit të padrejtësive të vazhdueshme, e kemi organizuar edhe këtë konferencë me profesorë universitarë, sepse ata janë zëri kompetent i shtjellimit të këtij fenomeni. Sot kemi listuar bashkë me ta 30 shkelje, prej shkeljes së parë, sepse mos të harrojmë, gjykata fillon me një shantazh”, shtoi ai.
Sipas tij, shantazhi ishte se “ose duhet ta bëni ose e bëjnë rusët në Këshillin e Sigurimit”.
“Gjykata Speciale fillon me një shantazh, e ai shantazh është shantazh politik në kuptimin që ‘ose duhet ta bëni ose e bëjnë rusët në Këshillin e Sigurimit’, por sot, kur iu ka dalë boja e ju ka heqë maska e shohim që ajo është brenda një shantazhi politik, brenda një sikleti të barazimit me agresorin. Sepse kjo gjykatë është monoetnike, fillon me shantazh dhe nisë me Dick Martyn e të deleguarin rus në Këshillin e Evropës”, tha Tasholli.
Ai shtoi se UÇK-ja nuk është e asnjë partie politike, por, tha ai, “është fenomen që na ka nxjerrë me fytyrë të bardhë”.
Ka bërë një krahasim mes Kosovës e Kroacisë, e si kjo e fundit është organizuar për të mbrojtur gjeneralët apo personat që kanë bartur rezistencën.
“Shteti ka marr pjesë aktive në mënyrën e organizimit të tryezave, financimit të simpoziumeve e studimeve të caktuara. Te ne e kemi një situatë të çuditshme, kemi dy pozicione, njëri pozicioni i folklorit që mendojnë se përmes teksteve mbrohet lufta, e ajo krijon patetizmin e vetë, e pjesën e diktaturës së korrektësisë politike që po ashtu prodhon patetizmin e vetë”, tha Tasholli.