Tahiri takohet me Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë

17:49 | 30 Mars 2016
M. A.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka takuar sot ambasadoren Athanassiadou ku fillimisht biseduan për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Greqisë si dhe për bashkëpunimin bilateral dhe avancimin e agjendës euroatlantike të Kosovës.

Ministrja Tahiri njoftoi ambasadoren për progresin e Kosovës për arritjet në rrugëtimin e drejt NATO-s dhe BE-së, duke theksuar se hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Associimit mes Kosovës dhe BE-së është tregues suksesi në ndërtimin e ardhmërisë evropiane të shtetit tonë të ri. Ministrja Tahiri kërkoi përkrahjen e Greqisë që të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës sepse janë të vetmit në rajon që kanë mbetur të anashkaluar në këtë aspekt. Ajo po ashtu potencoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike me Greqinë.

Ambasadorja Athanassiadou e rikonfirmoi angazhimin e shtetit helen për vazhdimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit me Kosovën. Ajo foli edhe për përkrahjen e Greqisë në rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian si dhe tha se Greqia vlerëson rëndësinë e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që shërben për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në Ballkan.

Në fund të këtij takimi, ministrja Tahiri dhe ambasadorja Athanassiadou u shprehën të gatshme për vazhdimin e angazhimit të përbashkët për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellë.

Shpërndaje në rrjete sociale