Tahiri reagon ndaj deklaratave të Gjuriqit për Asociacione

14:56 | 13 Qershor 2015
M. A.

Drejtori i Institutit për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë për Asociacionin e Komunave.

“Në qoftë se konstituimi i Asociacionit të Komunave Serbe në vendin tonë është kushti kryesor i qeverisë së Beogradit, misioni ynë në Prishtinë është të pengojmë themelimin e një institucioni që në esencën e vet statutare ka çrregullimin e sistemit politik dhe qeverisës të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri i AAK-së.

Sipas tij, ky Asociacion nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, nuk duhet të merr rol të sistemit rajonal të qeverisjes dhe mbi të gjitha mos të bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Gjuriqi me këto deklarata definitivisht nuk po kontribuon në integrimin e komunitetit serb, në të kundërtën po thellon ndarjen”, ka shprehur bindjen ai.

Kujtojmë se, drejtori i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq tha se javën e ardhshme në Bruksel do të diskutohet për krijimin e asociacionit dhe çështje të tjera që përfshin agjenda e Brukselit.

“Konstituimi i Asociacionit të Komunave Serbe, është kushti që serbët të ndihet të sigurt dhe të lirë. 15 vjet pas luftës dhe vuajtjeve, serbët në provincën e Kosovës, pritet të jenë të lirë dhe të sigurt. Mënyra më e mirë për të arritur sigurinë e tyre është përmes respektimit të marrëveshjes së Brukselit dhe krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe (AKS)”, citohet të ketë thënë Gjuriq, teksa ka shtuar se themelimi i AKS, është objektivi kryesor i Beogradit, që tentohet të përmbushet në të gjithë dialogun me Prishtinën.

“Javën e ardhshme në Bruksel do të diskutohet për krijimin e asociacionit dhe çështje të tjera që përfshin agjenda e Brukselit”, ka thënë drejtori i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Shpërndaje në rrjete sociale