Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se nuk do të integrohen në Policin e Kosovës, ish-pjesëtarët e së ashtuquajturës “Mbrojtja civile”.
Ajo ka deklaruar se ata do të mund të integrohen vetëm në institucione shtetërore civile që kanë veprimtari lokale.
Tahiri ka vlerësuar se marrëveshja për shpërbërjen e kësaj strukture parasheh edhe integrimin e ish-pjesëtarëve të saj.
“Marrëveshja ka të bëjë me punësimin e këtyre njerëzve në institucione civile, përkatësisht në ministri të ndryshme dhe agjenci të shtetit të Kosovës që kanë veprimtari lokale. Kjo marrëveshje negociohet tash e dy vjet. Vazhdimisht kam deklaruar se qëndrimi ynë si Qeveri e Republikës së Kosovës ka qenë se këta pjesëtarë të kësaj strukture duhet të integrohen në institucione civile të shtetit të Kosovës, e jo në institucione të karakterit të sigurisë”, ka thënë Tahiri për “Epokën e Re”.
Ajo ka bërë me dije se kjo marrëveshje në tërësi duhet të zbatohet deri më 1 shtator të këtij viti. Sipas Tahirit, kjo marrëveshje parasheh edhe destinimin e objekteve dhe pajisjeve që kjo strukturë i ka shfrytëzuar deri më tani.
“Dëshiroj të theksoj se marrëveshja për shuarjen e së ashtuquajturës ‘Mbrojtja civile’ parasheh që të gjitha objektet që kanë qenë në shfrytëzim të kësaj strukture t’i dorëzohen Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në këto objekte pastaj do të vendosen zyrat e ministrive dhe agjencive që kanë veprimtari lokale, e që deri më tani nuk kanë mundur ta shtrijnë veprimtarinë në këto katër komuna”, është shprehur Tahiri.
Ministrja Tahiri e ka ftuar BE-në të jetë e angazhuar maksimalisht në procesin e zbatimit të marrëveshjes për zhbërjen e ‘Mbrojtjes Civile’ dhe zbatimin e marrëveshjes për çështje të drejtësisë, në mënyrë që Serbia të mos e neglizhojë këtë proces.
“Ky është një fillim i mbarë por unë, duke marr parasysh se në periudha të mëhershme Serbia ka ditur t’u shmanget obligimeve dhe t’i pengojë proceset e zbatimit të marrëveshjeve, dëshiroj të them se Bashkimi Evropian duhet të mbetet shumë i angazhuar në procesin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësi dhe marrëveshjes për zhbërjen e së ashtuquajturës “Mbrojtja civile’”, ka deklaruar Tahiri. /arbresh.info/
Konstituohet Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënës...
Guardiola: Foden është i jashtëzakonshëm
Shefi i BE-së takon katër kryetarët e rinj të komuave verior...
Miratohet dizajni i fletëvotimeve brenda Kosovës
Ambasadori i BE-së takoi kryetarët e katër komunave të veriu...
Rama në Jordani, pritet nga mbreti Abdullah II bin Al-Hussei...