Sveçla: Mospranimi i shqiptarëve në policinë e Serbisë dëshmon synimet për spastrim etnik në Luginë

17:00 | 26 Maj 2025
E.H

Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi Policia e Serbisë nuk ka pranuar asnjë shqiptar për polic në konkurset e hapura në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla bëri të ditur se në Policinë e Kosovës 10 për qind janë nga komunitetet dhe mbi 50 për qind e tyre, janë nga komuniteti serb, përcjell Arbresh.info.

Sipas ministrit në detyrë, kjo e dëshmon qasjen e Kosovës për integrimin e serbëve në vend ndërsa Serbia po shpërfaq qasjen diskriminuese të shqiptarëve në Luginë.

“10% e totalit të Policisë së Kosovës janë nga radhët e komuniteteve dhe mbi 50% prej tyre janë nga radhët e komunitetit serb. Në 3 proceset e fundit, të veçanta për komunitetet, janë inkuadruar 210 pjesëtarë të rinj nga po ky komunitet. Në konkursin e fundit të policisë në Serbi, nga 43 policë të pranuar në Preshevë dhe Bujanoc asnjëri nuk është shqiptar. E po ashtu nga 22 policë sa janë në Medvegjë, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar. Kjo dëshmon qasjen tonë për integrim e bashkëpunim me qytetarët e komunitetit serb që jeton në Kosovë ndërsa Serbia çdo ditë e më shumë po shpërfaq qasjen e saj diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që në thelb ka spastrimin etnik të tyre”, ka shkruar Sveçla.

Në fund, Sveçla tha se ky spastrim etnik që Serbia po ua bën në çdo formë shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, duke ua shkelur rrjedhimisht çdo të drejtë elementare të tyre, duhet ndëshkuar e ndalur menjëherë nga faktori ndërkombëtar./Arbresh.info

LEXO EDHE:

Zero shqiptar të pranuar në policinë e Serbisë, KKSH: Po rikthehet diskriminimi i vitit 2001

Shpërndaje në rrjete sociale