Suspendohen pesë zyrtarë Komunal

18:41 | 29 Mars 2016
M. A.

Pesë zyrtarë të Komunës së Kaçanikut janë suspenduar nga puna, pas vendimit të marrë nga kryetari i kësaj Komune, Besim Ilazi, në bazë të një aktakuze. Drejtori i Urbanizmit, Fatos Koxha, Betim Shala, Bujar Dullovi, Zekirja Koxha dhe Vedat Dema, janë zyrtarët që janë larguar nga puna pasi ndaj tyre është ngritur aktakuzë lidhur me tenderin e palmave, projekt ky në mandatin e ish-kryetarit Xhabir Zharku.

Kryetari i Komunës Ilazi ka konfirmuar për “Zeri.info” se largimi i tyre është bërë në bazë të ligjeve në fuqi.

“Është ngritur një aktakuzë ndaj tyre dhe në bazë të Ligjit për Shërbyesit Civilë unë kam qenë i detyruar të ndërmarr diçka, pra ka të bëjë me tenderin e palmave”, ka thënë ai.

Projekti i këtyre palmave, që ishte ide e Xhabir Zharkut që gjendet në arrati, i kishte kushtuar Komunës hiç më pas se 67 mijë euro. Ndërkohë, gazeta “Zëri” jo zyrtarisht mëson se pritet që edhe 13 zyrtarë të tjerë të Komunës të suspendohen për këtë rast dhe disa raste të tjera. Në mesin e personave që pritet të largohen nga puna është edhe ish-kryetari nga radhët e PDK-së, Xhelal Gashi, i cili tani është kryesues i Kuvendit Komunal.

Kryetari Ilazi tha se nëse dalin aktakuza të tjera, ai do të ndërmarrë hapa për t’i larguar nga puna ata zyrtarë që janë të përfshirë në çështje joligjore.

“Momentin që na vijnë këso aktakuza sikur kjo, ne jemi të detyruar të veprojmë sipas ligjeve për të gjithë zyrtarët”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale