Sulmuesi në Berlin abuzonte me kokainë dhe ekstazi

17:09 | 15 Janar 2017
Trina Galanxhi

Anis Amri, i dyshuari i sulmit terrorist në Berlin në prag të Krishtlindjeve, ku mbetën të vrarë 12 persona, rregullisht ka konsumuar kokainë dhe ekstazi, raportojnë mediat gjermane.

Autoritetet gjermane janë duke hetuar nëse ai ka qenë nën ndikimin e drogës edhe gjatë sulmit terrorist, transmeton arbresh.info.

Amri u vra nga policia italiane me 23 dhjetor, pasi policia e ndaloi dhe kërkoi ID-në e tij në  një lagje në Milano. Ai është vrarë pasi i është përgjigjur policisë italiane me të shtëna armësh.

Gazeta gjermane Die Welt raporton se sulmuesi në Berlin ka qenë konsumator i rregullt i kokainës dhe ekstazisë, pasiqë edhe vetë ai ishte diler droge.

Raporti i cili përmbledh gjetjet e hetimit pritet të diskutohet gjatë një takimi të brendshëm të një komisioni të posaçëm të parlamentit gjerman.

Në raport thuhet se Amri është përballur me akuza për narkotikë edhe në Tunizi dhe menjëherë pas arritjes në Gjermani ai është marrur me shitjen e drogës.

Gjithashtu theksohet se 24-vjeçari kishte bërë udhëtime mistershme përmes Gjermanisë dhe Evropës.

Autoritetet gjermane kanë arritur të zbulojnë se Amri kishte përdorur 14 pseudonime gjatë qëndrimit të tij në Gjermani.  Zbulimet e reja e portretizojnë atë si një njeri kompleks, kriminel gjakftohtë.

Ndërkohë, agjencitë e sigurisë në Gjermani janë duke u përballur me kritika të forta pasi nuk ja kanë dalur të mbajnë nën vëzhgim tunizianin e dyshuar./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale